Përfundon Faza e Pre-Eliminatoreve. Zbuloni 16 shkollat finaliste të Re-Debate 5.1!
3 Qershor, 2021
Hidhet shorteu për Fazën e Eleminatoreve. Këto janë 8 Debatet!
4 Qershor, 2021

Drejtor Lifi…

Lifi është një djalë të cilit nuk i pëlqente shkolla, megjithatë nga klasa e parë deri në të tretën ai mësonte deri diku, për shkak të këmbënguljes së prindërve.
Në klasë të tretë, Lifi dinte të lexonte rrjedhshëm, prandaj një ditë të bukur ai vendosi të lexonte një libër artistik, i cili ishte i pari dhe i fundit për të. Nuk e di nëse kjo ndodhi sepse nuk i pëlqeu libri, por që prej asaj dite, Lifi nuk lexoi as dhe një libër, nuk mësonte fare, ishte nxënës problematik dhe mezi e mbaroi klasën e nëntë…

Pasi mbaroi të nëntën, ai duhet të vendoste si do ia bënte më tej, të vazhdonte gjimnazin apo të punonte?
Lifi vendosi që të largohej nga vendi i Lifmatrakëve, për në një vend të huaj, sepse mendonte që të mos humbiste kohën me shkollë përderisa nuk kishte mësuar tërë këto vite, por të punonte e së siguronte para.
Kur shkoi atje, Lifi brenda pak viteve u bë shumë i kamur, sigurisht, pasi gjithmonë kishte qenë “punëtor”.
Një ditë të bukur, Lifi ndjeu mall për vendlindjen dhe ndonëse kishin kaluar vite qëkur kishte kapur ndonjë libër në dorë, vendosi të fillonte fakultetin në vendin e Lifmatrakëve. Në fakultet shkonte rrallë, megjithatë, e mbaroi me rezultate të mira dhe filloi të bënte karrierë në vendin e tij.
Në pak kohë, Lifi ka arritur shumë gjëra të cilat, një person që ka studiuar nuk i ka arritur dot .
Ishte Lifi djalë me fat apo vendi i Lifmatrakëve e favorizoi?
Mendoj që ishte kjo e dyta, sepse në këtë vend, intelektualët e vërtetë nuk janë vlerësuar ndonjëherë…
Kështu pra, Lifi punësoi disa shokë të tij e kur ndonjë ishte ndryshe nga Lifi, pra dinte dhe donte të punonte, nuk kishte vend pranë tij.
Ndoshta shumë njerëz e kanë zili Lifin për “suksesin” që ka arritur, por edhe ai vetë e di që kur merr përgjegjësi të cilat nuk i mban dot, një ditë do të japësh llogari…

P.s.: Mos u bëni si Lifi, sepse shpresojmë që do të vijë dita që të zgjuarit do të bëhen bashkë e Lifët do shkojnë aty ku kanë vendin!