Konkursi i përshtypjeve “JAM LIBËR” me nxënësit e shkollave pjesëmarrëse në Re-Debate 5.1
9 Mars, 2021
Parahistorizmi online
15 Mars, 2021

Rri’tu Menja!

“Të hiptë vetja në qejf” është një ndër mallkimet më të tmerrshme që një Shkodran mund të bëjë. Është i rëndë vërtet si mallkim, sepse askush nuk e dëshiron, pranon, a pëlqen një njeri arrogant, mendjemadh apo fodull. Kështu, është e rëndësishme që këto cilësi të hiqen prej vetes, apo mos të ftohen kurrë brenda saj. Por për të arritur deri aty, duhen përmendur fillimisht shkaqet që sjellin mendjemadhësi tek një person.

Një arrogant nuk është i vet-ndërgjegjshëm; atij i mungon debati i brendshëm midis vetes dhe vetes. Ai sheh gjithçka me përçmim sepse i mungon kriticizmi, të cilin ngaqë nuk ia lejon vetes, nuk ia bën asgjëje tjetër. Arrogantit gjithashtu i mungon reflektimi, ngaqë i duket vetja i pagabueshëm. Fodullit i mungon dhe mendjehaptësia ngaqë i sheh gjërat vetëm nga këndvështrimi vet; i mungon dhe gjykimi logjik, ngaqë vetëm paragjykon; përfundimisht i mungon kontakti me arsyen, pasi fluturon në dëlir.

Kaq shumë të meta brenda një personi të vetëm! Si të mos i kemi këto cilësi? Përgjigja është e thjeshtë, mjafton të bëjmë të kundërtat: Duhet të jemi të vet-ndërgjegjshëm, kritik, anti-konform mendimeve tona; duhet të reflektojmë vazhdimisht mbi faktorë të jashtëm e të brendshëm që na ndikojnë; duhet të zhvillojmë mendjehaptësi për të qenë të vëmendshëm karshi çdo këndvështrimi ndryshe dhe duhet të përmirësojmë argumentimin e logjikën.

Për të realizuar këto, debatimi i strukturuar është një mekanizëm që na vjen në ndihmë. Duke qenë se zhvillon logjikën koherente, mendimin kritik dhe mendjehaptësinë karshi këndvështrimeve të ndryshme, debatimi i strukturuar me të tjerët i hap rrugë dhe debatit të shëndetshëm mes vetes dhe vetes, duke mos e lënë arrogancën të bëhet cilësi e personit tonë.

Kjo është një arsye më shumë, pse debatimi duhet konsideruar si aktivitet thelbësor karakter-formues. Na rrit’ menjen, pa na bërë mendjemadh!