Rri’tu Menja!
13 Mars, 2021
Kur (nuk duhet) të mësohesh…
15 Mars, 2021

Parahistorizmi online

Njeriu shpesh herë tenton eksperimente të ndryshme për të vërtetuar teza të tij për të qenë në qëndër të vëmendjes në qarqet shkencore e për të lënë emër në histori. Eksperimetet më të famshme marrin vëmendjen e duhur nëpër televizione, radio, gazeta e kjo ka ndodhur historikisht, por çuditem sesi arsimi nuk merr vëmenedjen e duhur, duke qenë se po trajtohet globalisht si një eksperiment.

Shumë pak njerëz pëlqejnë metodën “online” të arsimit, por është shumë më keq kur vetëm pak njerëz ankohen për një metodë e cila duket se po dështon. Jo çdo risi në vetvete do të thotë zhvillim, jo çdo risi do të thotë arritje, prandaj dhe ideja e të qënit i përfshirë në një eksperiment, i cili mbulohet nga një vello “zhvillimi” shumë e hollë që vetëm pak njerëz kritikë arrijnë ta dallojnë.

Përdorimi i metodave të reja dhe inovative në arsim padyshim që është pozitiv dhe i bën nxënësit të jenë më të interesuar ndaj një proçesi, i cili në natyrë nuk është shumë i pëlqyeshëm nga ana e vetë nxënësve, por nuk është inovacion të shkatërrosh një sistem në sekond dhe të tentosh të ngrish tjetrin. Sot bota po përballet me një situatë, e cila mund të ishte menaxhuar shumë herë më mirë, nëse do të kishte më shumë përgjegjshmëri nga të gjithë ne dhe nga këto gabime duhet të mësojmë.

Nëse ne vazhdojmë të themi se arsimi po arrin me sukses qëllimet e tij, atëherë pa frikë jemi duke gabuar dhe nga ky gabim është shumë e parëndësishme të mësojmë, nëse “mësimi” ndodh vonë. Është nevoja të kuptojmë se pikërisht kjo që po ndodh tani nuk do ti shfaqë pasojat as mbas një jave e as mbas një viti, por në një të ardhme kur të kemi nevojë për profesionistë dhe të përballemi me një mungesë të theksuar intelekti profesional për shkak të një arsimi të cunguar.

Problemet e arsimit janë të shumta e nëse ne tentojmë t’i shtojmë duke vazhduar me tentativën për të bindur veten se mësimi online është një mënyrë për të konvertuar mësimin real në mësim efektiv jemi duke gënjyer veten. Një formë e tillë e të mësuarit jo vetëm nuk sjell efektivitet, por përgjum në maksimum atë se çfarë arsimi mban zgjuar, të qënit aktiv në proçesin e të mësuarit.

Nuk dua të flas në emër të askujt, përveçse emrit tim dhe pranoj hapur se kjo formë e të mësuarit ka dashtuar që në të menduarin e saj. Shumë gjëra teknologjia na i ofron fare mirë, por shqetësohem shumë nëse nuk po bën të njëjtën gjë edhe me arsimin.

Pas disa vitesh do kemi mjekë, të cilët nuk do t’ia kenë idenë mjekësisë, arkitektë që do ngatërrojnë katin e parë me të dytin e juristë që dinë vetëm fjalën “kushtetutë”. Askush nuk mund të studiojë nëse nuk ka prokupim të përgjithshëm. Nëse e zerojmë prokupimin e mësuesit dhe nëse presim që çdo gjë ta bëjë studenti, më besoni se sistemi ka dështuar.

Tashmë jemi njësoj si në parahistori, vetëm se ne kemi internet. Ata nuk shkonin në shkollë e ne po nuk shkojmë, ata nuk bënin shkencë e ne s’po bëjmë.
Nëse dikush beson se mund të mësosh ndërkohë që televizori ‘buçet’ nga dhoma tjetër e makinat bëjnë zhurmë gjithë kohës e mësuesit i ndalohet interneti se ka linjë të dobët e se njeri harron mikrofonin hapur e dëgjohet Rihanna në sfond më duket e çuditshme.

Jemi akoma në kohë ti japim sërish frymë arsimit, shkollës, universitetit e të sjellim në dritë kuptimin e vërtetë të saj, nëse nuk duam të djegim një brez të tërë e ta bëjmë pjesë të asaj që gjithmonë kemi dashur ta shmangim, indoktriminim e keq teknologjik, i cili me të drejtë hoqi me vrull celularët nga shkolla sikur të ishin armë e po me vrull po i përplas të gjithë tek celularët. Celularët sikur pengonin proçesin e mësimit!