Kur (nuk duhet) të mësohesh…
13 Shtator, 2022
Rinia duhet të sjellë ndryshim, jo riciklim…
13 Shtator, 2022

Organizimi si virtyt

Në një shoqëri demokratike, sikurse është theksuar, pushteti është i dykahshëm, nga lart-poshtë, por dhe nga poshtë-lartë.

Rryma poshtë-lartë nënkupton me siguri se, baza e shoqërisë ka potencialin të ndikojë mbi udhëheqësit e saj dhe vendimet që ato marrin në përditshmërinë e tyre. Por në këtë arsyetim lind një ngërç. Shoqëria shpesh herë merret si një etnitet i mëvetshëm, edhe pse, e vërteta mbetet se ajo është e përbërë nga individë, të cilët përfaqësojnë interesa diverse, e mbi të gjitha aderojnë në grupe të ndryshme. Ngërçi është: Si mundet që gjithë ky diversitet të pushtojë vendimmarrjen e pushtetarëve lartë? Fundja, s’do shumë mend që të kuptohet se shumë shigjeta të hedhura veçmas, kanë më pak efekt se shumë shigjeta të hedhura bashkërisht.

Në ndihmë të zgjidhjes së këtij ngërçi vjen organizimi. Si veprimtari që synon të vejë rregull në kaos dhe parashikim në pasiguri, organizimi është jetik. Nëpërmjet tij mundet që interesat diverse të përbashkohen me të ngjashmet e tyre, e kësisoj elementët që të ndarë s’do kishin peshë, tani rëndojnë shumë prej faktit se janë të bashkuar.

Organizimi i konturon interesat diverse në një rezultante që është e aftë ta bëjë veten të dëgjueshme në instancat më të larta të pushteti. Organizimi pra, është një lloj lobimi, jo detyrimisht i paguar. Nëpërmjet këtij aktiviteti fuqizohet baza e shoqërisë, duke mundësuar kështu dykahshmërinë e pushtetit.

Viktima e pushtetit bëhet kërcënim për të, në momentin që është e aftë të artikulojë rrezikun që i kanoset. Këtë e realizon organizimi. Rrjedhimisht, ky fenomen është virtyt, i fituar me kohën, me sprova dhe shumë mund nga shoqëritë, të cilat të ardhmen e duan më të mirë se e tashmja; shoqëritë të cilat pranojnë se liria është përgjegjësi dhe që janë të afta ta kuptojnë dhe respektojnë këtë përgjegjësi.