Rinia duhet të sjellë ndryshim, jo riciklim…
13 Shtator, 2022
Kujt ia lemë ato mundësi?
13 Shtator, 2022

Arsimi, edukimi dhe regjimet

Për të siguruar mbarëvajtjen e regjimit diktatorial, komunizmit i duhej të merrej me të vërtetën. Lufta zhvillohej në dy fronte. Fronti i parë synonte të përcaktonte se cila ishte e vërteta. Fronti i dytë ndalonte nga shprehia çdo të vërtetë të padëshiruar nga regjimi.

Llogoret e frontit të dytë kishin si ushtarë sigurimsa, polici, spiunë, “1200-ça”. Këta ushtarë ishin të pajisur me aparatura e teknologji të kohës së fundit, armë dhe pushtet. Të shpërndarë si kërpudha pas shiut, qëllimi i tyre ishte të përhapnin terror, frikë dhe të siguronin se çdo njeri mendonte me mendimet e regjimit.
Llogoret e frontit të parë ishin më ndryshe ama. Ushtarët e tyre ishin mësuesit dhe librat. Mekanizmi që siguronte fitoren e frontit të dytë ishte një sistem arsimor që indoktrinonte vetëm një optikë në mendjen e gjithsecilit. Llogorja e parë siguronte një të vërtetë të dëshirueshme prej regjimit, ndërsa llogorja e dytë e mbronte atë nga çdo devijancë e mundshme.

Por edhe demokracia, e nënshtruar nga realiteti i cunguar i shteteve të cilët zbatojnë atë, përdor arsimimin për të konturuar të vërtetat në një rrjedhë të parashikueshme. Librat e çdo sistemi arsimor miratohen nga Ministritë përkatëse të Arsimit. Kjo jo domosdoshmërisht është një gjë e keqe, por konturimi i së vërtetave, mbetet gjithsesi një e vërtetë jo e plotë. Për shembull, librat e historisë më shumë se sa historisë, i shërbejnë krijimit të një identiteti kombëtar që fortëson nacionalizmin e shtet-kombit. Një rast tjetër mbetet viti 1968, në demonstratat studentore. Për të analizuar shkaqet që i fortësuan aq shumë ato protesta, lidershipi Amerikan aso kohe mblodhi ekspertët më të mirë të fushave të sociologjisë, politologjisë, antropologjisë dhe psikologjisë. Këto ekspertë në fund dolën me konkluzionin se arsyeja kryesore që ishin studentët, e jo të tjerë, ata që protestonin; ishte se këtij grupi po i jepej më shumë edukim seç në të vërtetë duhej. Rezultati përfundimtar ishte një reformë arsimore që e strukturoi universitetin si një fabrikë punonjësish, duke e bërë atë të rëndësishëm vetëm si hallkën e parë që të çon tek suksesi i një karriere në tregun e punës.

Përfundimi pra, është se në regjime, arsimi është mjet, më shumë se sa qëllim. Por a e bën kjo të vërtetën të pamundur? Nëse e vërteta kuptohet si proces transformativ i optikës të së menduarit, atëherë jo. E vërteta nuk është e ngurtë, diçka sipër nesh të cilën duhet ta kërkojmë për ta gjetur. Në të kundërt, e vërteta ka të bëjë me edukimin, një proces i pandalshëm që synon të lartësojë të menduarit në kontekste të reja.

Si i tillë, edukimi është më i mundshëm në regjimet demokratike, duke qenë se kontekstet e reja janë të rrezikshme për regjimet sikurse komunizmi, që stacionohen në vetëm një të vërtetë. Por duhet theksuar se edukimi ka tjetër raport me regjimet. Ai vetëm mund të lejohet (a pengohet) prej tyre, por nuk mund të mundësohet dot nga to. Rrjedhimisht mund të thuhet se edukimi ngjizet individualisht.

Është individi ai që e përcakton normën e tij, ose standardin se ku do që ta lartësojë të menduarin. Kjo për shkak se, mendimi kritik, logjika, argumentimi dhe arsyeja, si domosdoshmëri të të menduarit, janë cilësi të përfituara apo të stërvitura të cilat nuk njohin limite. Nëse arsimi ka një limit të caktuar të zhvillimit të këtyre cilësive, që sikurse u përmend më lartë përcaktohet prej regjimeve, edukimi është individual pikërisht se është i lirë.

Mirëpo, për ta përmbyllur, liria është përgjegjësi. Në këtë sens, është përgjegjësia e gjithsecilit që të ecë kah një drejtimi nga ku do të gjejë lartësimin e të menduarit. Për këtë, logjika, arsyeja, mendimi kritik dhe argumentimi janë domosdoshmëri!