Kujt ia lemë ato mundësi?
27 Qershor, 2021
Kur të shteron intelektualizmi
15 Korrik, 2021

Përfundon Re-Debate 5.1: “Protagonistët” fitues të këtij edicioni

Përfundoi me sukses edicioni i katërt i Kampionatit Kombëtar të Debatit, Re-Debate 5.1 me shpalljen e shkollës së mesme fituese. Të Mërkurën e 30 Qershorit, në abientet e Hotel Rogner u zhvillua Finalja e Vogël dhe e Madhe dhe për herë të parë një shkollë jo-publike fitoi vendin e parë në këtë kampionat.

Ky edicion ishte më i veçanti që nga fillimi i projektit, pasi shënoi për herë të parë shtrirjen më të gjerë, në 61 Bashki të vendit me një përfshirje prej 100 shkollash të mesme.

Eksperienca që stafi i Organizatës LIBURNETIK mori gjatë Re-Debate 5.0 shërbeu si një mundësi shumë e mirë për të përmirësuar por gjithashtu dhe për të aftësuar nxënësit debatues jo vetëm në kulturën e debatit, mendimit kritik dhe vlerat e bashkëpunimit në grup por dhe në përdorimin e teknologjisë dhe infrastrukturës së programeve të komunikimit virtual.

Respektimi i ideve, etika në komunikim, bashkëpunimi dhe toleranca në grup, thyerja e tabuve sociale dhe paragjykimeve ishin përbërësit e këtij formati që sollën modelin e mirëfilltë të një debati konstruktiv nga ku duhet të marrin shembull të gjithë. Një mësim për të cilin shoqëria jonë shqiptare ka nevojë dhe padyshim të rinjtë e Re-Debate 5.1 arritën ta servirin shkëlqyer duke hedhur kështu bazat për ngritjen e një shoqërie demokratike me themele të sigurta për të ardhmen.

Ndërsa debatet e fazave të këtij kampionati u zhvilluan tërësisht “online”,  aktiviteti i debateve të Finales u zhvillua për herë të parë pas një shkëputje prej afro dy edicionesh si pasojë e pandemisë, me praninë fizike të nxënësve finalistë.

Re-Debate 5.1 u bë i vetmi projekt rinor aktualisht në Shqipëri me shtrirjen më të gjerë territoriale në vend ku përfshiu afro 1500 të rinj dhe 100 mësues, të cilët patën mundësinë të aftësoheshin dhe të rriteshin me vlerat e mendimit kritik përmes kulturës së debatit.

Aktiviteti u hap me Finalen e Vogël që përcakton vendin III dhe IV, midis Shkollave “Flatrat e Dijes”, Fier dhe Gjimnazit Rrëshen nën moderimin e znj. Aspasjana Kongo.

Gjatë Finales së Vogël përshëndetën znj. Kleina Kasanai, Drejtor i  Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Z. Andi Rabiaj, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit “Zëri i Të Rinjve”.

Gjithashtu fjala e rastit u mbajt dhe nga përfaqësuesit e bizneseve që vendosën ti bashkoheshin këtij rrugëtimi të gjatë të Re-Debate 5.1: Znj. Sibel Pipa, One Telecommunications, z. Albert Gjoka, Menaxher i Bukinist.al dhe Z. Laudio Topçiu, përfaqësues i TIBO.

znj. Kleina Kasanai, Drejtor i Përgjithshë në Agjencinë Kombëtare të Rinisë e cila vlerësoi projektin dhe siguroi përkrahjen e iniciativave siç është Kampionati i Debatit nga ana e agjencisë.

Drejtorja e Komunikimit në One, znj. Sibel Pipa u shpreh se fryma e debatit reflekton se si vetë kompania mban qëndrimin ndaj teknologjisë e cila përveç përfitimeve ka dhe anët e saj negative. “Debatet janë të rëndësishme për të parë të dyja këndvështrimet e çdo lloj fenomeni dhe realiteti.”- u shpreh ajo ndër të tjera.

Albert Gjoka, CEO në Bukinist e vuri theksin tek librat dhe mundësia që ato japin lidhur me mendimin kritik. Duke qënë lexues të mirë, – u shpreh z. Gjoka – “ne kemi mundësinë të jemi gjithashtu dhe lexues kritikë, por kjo ka nevojë për të shkuar përtej librit duke e shfrytëzuar pasurinë që librat japin vetëm për tu rritur”.

Laudio Topçiu, përfaqësues i TIBO e lidhi projektin me filozofinë e kompanisë, për të shkuar më shumë përtej asaj çfarë ne realisht mund të bëjmë.

Juria e përbërë nga znj. Ira Topalli, z. Endrit Maçi dhe znj. Sueda Guri vlerësuan këtë debat ku Shkolla “Flatrat e Dijes”, Fier kryesoi me 252 pikë duke fituar vendin III të këtij edicioni dhe Shkolla Rrëshen që u pozicionua në vendin e katërt me 219 pikë.



Finalja e Madhe u moderua nga z. Ergys Gezka, Drejtor i LIBURNETIK dhe znj. Aspasjana Kongo ku mbajtën fjalën e rastit dhe përfaqësues të organizatave partnere si dhe mundësuesit e Re-Debate 5.1:

Znj. Bora Muzhaqi, Zv. Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Z. Klodian Seferaj, Menaxher Programi në Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, znj. Dorina Toçaj, Përgjegjëse e Programit për Shëndetin Riprodhues dhe Rinisë në UNFPA Albania, znj. Iva Beharaj, Drejtore e Rinisë në Bashkinë Tiranë, z. Kreshnik Loka, Drejtor i Zyrës Lokale të Shqipërisë në RYCO. Nën emrin e Kongresit Rinor Kombëtar, organizatë partnere e projektit përshëndeti gjithashtu dhe Znj. Dafina Peci.

Gjatë aktivitetit përshëndetën gjithashtu me fjalën e rastit partnerët dhe mundësuesit e këtij projekti.

Zv. Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, znj. Bora Muzhaqi e vlerësoi Re-Debate si një mundësi shumë e mirë për të rinjtë. Ajo ndau eksperiencën e saj në debatet e para në Cambridge dhe se si kultura e debatit ndikoi në formimin e saj profesional teksa i ftoi të rinjtë të angazhoheshin sa më shumë në të tilla projekte të cilat në periudhën e saj të gjimnazit nuk ishin të mundura.

Klodian Seferaj, Menaxher Projekti në Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, një prej mundësueseve të Re-Debate që prej edicionit të parë, falënderoi të gjithë mësuesit dhe nxënësit që u angazhuan gjatë projektit

Në emër të UNFPA Albania, Znj. Dorina Toçaj, shprehu urimin e organizatës për të rinjtë që ata të shohin përtej vetes së tyre dhe të kontribuojnë për vendin tonë.

Rrugëtimit të këtij edicioni i është bashkuar dhe Bashkia e Tiranë, ku në emër të institucionit foli znj. Iva Beharaj, Drejtore e Rinisë e cila shprehu mirënjohjen e saj për Re-Debate që gjithashtu këtë vit përfshiu dhe zonat lokale nën administrimin e kësaj bashkie.

Znj. Aida Lahi përfaqësuese e Ambasadës së Mbretërisë së Hollandës në një video-mesazh lancoi gjithashtu lajmin e se skuadrat finaliste të këtij edicioni do të jenë pjesë e disa aktiviteteve që kjo ambasadë do të zhvillojë në vijim.

Përfaqësuesi i Zyrës Lokale së RYCO, z. Kreshnik Loka vendosi theksin tek debati dhe kultura e debatit në nivel rajonal. Në emër të Kongresit Rinor Kombëtar, znj. Dafina Peci, Drejtore Ekzekutive, u shpreh se debati jep mundësi për të rinjtë sidomos kur ka një shtrirje të gjerë siç ishte ky edicion.

Finalja e Madhe u zhvillua midis dy shkollave të Tiranës, “Sami Frashëri” dhe “Protagonistët” të cilat debatuan për fituesin e këtij edicioni që u vlerësuan nga znj. Dafina Peci, z. Vladimir Thano dhe znj. Aida Goga.

Shkolla e Mesme Jo-Publike “Protagonisët” zuri vendin e parë në Re-Debate 5.1 me 264 pikë duke u bërë shkolla e parë jo-publike që fiton trofeun e Kampionatit Kombëtar të Debatit. Gjimnazi “Sami Frashëri” u rendit në vendin e dytë në këtë edicion me 255 pikë.

Në përfundim gjithashtu skuadrat morën trofeun e vendit të parë, të dytë dhe të tretë së bashku me certifikatat.

 

Hapsirë tjetër vlerësimi që tashmë është bërë traditë, është dhe Çmimi i Debatuesit më të Mirë, i cili u mor nga nxënësi Alem Bardhi, Lider i Shkollës “Dhaskal Todri”, Elbasan. Përveç certifikatës, Alemi përfitoi gjithashtu dhe një TIBO BOX me abonimin Premium për 1 vit. Në shenjë mirënjohje dhe falënderimi falë bashkëpunimit të partnerëve tanë të rinjtë debatues morën gjithashtu dhe dhurata.

Skuadrës së vendit të parë, Shkolla “Protagonistët”, falë bashkëpunimit me One Telecommunication iu dhurua një aparat smartphone si dhe një paketë e personalizuar nga produktet e “Xiaomi”.

Vendi i dytë, Shkolla “Sami Frashëri” mori gjithashtu një smartwatch “Mi Band 5”.

Vendi i Tretë, Shkolla “Flatrat e Dijes” falë Bukinist fituan kupona dhuratë për blerje librash në Bukinist.al

Vendi i Katërt, do të fitoi gjithashtu përmes TIBO, abonimin premium mobile i cili përmban të gjitha kanalet televizive kombëtare, rajonale dhe botërore për 1- vit.

 

Pozicionimi i Shkollave Fituese:

  • Vendi I – Shkolla e Mesme Jo-Publike “Protagonistët”, Tiranë
  • Vendi II – Shkolla e Mesme “Sami Frashëri”, Tiranë
  • Vendi III – Shkolla e Mesme Jo-Publike “Flatrat e Dijes”, Fier
  • Vendi IV – Shkolla e Mesme Rrëshen