Përfundon faza e debateve në nivel qyteti. Zbuloni 32 shkollat e kualifikuara në pre-eliminatore në Re-Debate 5.1
4 Maj, 2021
Rinia duhet të sjellë ndryshim, jo riciklim…
18 Maj, 2021

Burime pa ujë

E mbani mend kur në Shqipëri erdhi filiali i një kompanie gjigande teknologjike? Asaj që shteti i ofroi zero taksa për katër vite, dhe që në këmbim premtoi se filiali do drejtohej nga një shqiptar, që do e zgjidhte qeveria vet. Të gjithë mendonin se do ishte një reklamë shumë e mirë për shoqërinë, për të mos përmendur përfitimet afatgjata financiare. Mirëpo, asgjë nuk shkoi aty ku u parashikua…

Ëndrrat e mëdha që kishte kompania, u thyhen nga pesha e rëndë e keqmenaxhimit. Pas një viti, Drejtori Qendror Ekzekutiv njoftohet në zyrën e tij të Silicon Valley, se gjithçka në filialin e Shqipërisë po shkonte keq: Asnjë nuk bënte punën për të cilën paguhej, administrata flinte mbi detyrat që i ngarkoheshin, dhe problemet nuk zgjidheshin.

Edhe pse duhet të ketë ndjerë tronditje kur mori këtë lajm, Drejtori Ekzekutiv, nuk e humbi aspak mprehtësinë, siç e tregojnë ngjarjet që pasuan. Ai vendosi ta vizitonte vet filialin dhe ta provokonte drejtorin shqiptar me një problem, që të kuptonte sa i përgatitur ishte ai në të vërtetë. “Nëse puna e filialit nuk kap pritshmëritë, me siguri që problemi duhet të vijë nga lart.”, kishte menduar.

Kështu, me të zbritur në Rinas, CEO kishte shkuar tek filiali. Ditën e parë bëri mbledhje rutinë me administratën dhe skuadrat e inovacionit, për të mos i krijuar përshtypjen drejtorit shqiptar se kishte ardhur posaçërisht për të.

Ditën e dytë pastaj, takoi drejtorin shqiptar. Pas i bëri pyetjet e kortezisë, i qau problemin, duke e bërë të ndihet i rëndësishëm: “Na janë prishur makineritë e mikro-cipave, mirëpo prodhimin s’mund ta vonojmë se kemi kontratat me kompanitë e tjera. Si mendon, si mund ta zgjidhim?”, e pyeti.

Pastaj heshti për të pritur me kërshëri përgjigjen. Bebet e syve iu zmadhuan prej adrenalinës; mezi priste të kuptonte a e kishte fajin drejtori shqiptar a Shqipëria, që planet e kompanisë nuk po zhvilloheshin. Zyrën ndërkaq e kishte ngërthyer një moment suspance, siç e përshkruajnë ata që po e ndiqnin nga dritarja e saj. Në të kundërt të situatës , i qetë, i sigurt në vete, kryeneç dhe prepotent, me shkathtësinë e gjithëfuqishme të mendimit të tij, drejtori shqiptar me përgjigjen më jetëgjatë të çdo problemi i thotë: “Mos e vrit mendjen, po hë!”, duke i përkëdhelur butasi shpatullat, si për ta ç‘ngarkuar nga lodhja e bollshme e të menduarit.