Pasoja e aktivizmit dhe pasoja e pasivizmit
22 Mars, 2021
Hidhet shorti për Fazën e Debateve në nivel qyteti. Këto janë 50 Debatet!
25 Mars, 2021

Ku vdes Kiameti!

Shqipëria ka qenë vendi i preferuar i Kiametit. Kur erdhi për herë të parë mendoi se do e ndjente veten shumë rehat, ngaqë gjithmonë do e gjente diçka për të cilën do thërriste. Ashtu ndodhi vërtet!

Pasi u rehatua, filloi të thërriste me zë të lartë: “Çudia, këtu ndodh çudia, çudia po ju them.” Asnjë nuk reflektonte, asgjë nuk ndryshonte!

Pas ca kohësh, nga lumtura e madhe për çudirat që vazhdonin të ndodhnin, filloi të ulëriste. Asnjë nuk e dëgjonte, për të keqen askush s’mendonte!

Ashtu u la, të gërthiste në qejf të vet… Por dhimbja nga ulërimat rezultoi më e fortë se qejfi nga çudia. Dhe kiameti vdiq. Hera e parë që kiameti vdes nga çuditë që ndodhin, se përherë vdes se s’ndodh ndonjë çudi…

Në varrim s’i shkoi njeri. Ai bërtiste shumë, për çudira që njerëzve s’u bënin çudi. Se këtu s’është vendi ku thërret kiameti, po është vendi ku vdes kiameti. Se çudia, kur është e shpeshtë, bëhet normale. Dhe normalja nuk përmirësohet asnjëherë. Se për t’u përmirësuar duhet reflektuar; realiteti duhet parë nga një optikë kritike. Kritikë që ndërton të reja, duke rrëzuar të vjetrën.

Kiameti është kambana që alarmon se një vuajtje jo normale po jetohet. Për të pasur vesh ta dëgjojmë, duhet fillimisht të kemi mendje për ta kuptuar.