Pse të rinjtë duhet të jenë aktiv?
19 Nëntor, 2020
Kultura e debatit në Shqipëri
27 Nëntor, 2020

Kush e ka fajin?

Ka ardhur koha, pas shumë e shumë vitesh të bëhemi të fortë e të gjejmë se kush na e ka fajin për gjendjen në të cilën jemi. Të gjithë ne si shoqëri, të gjithë ne si individë. Ka ardhur koha mos të kemi më turp të drejtojmë gishtin, ka ardhur koha ku të bërtasësh për të drejtën duhet të jetë normale. Nuk ka ardhur koha e gijotinave ndaj fajtorëve, po llogaridhënies po ama, ne kemi frikë të jetojmë në një shoqëri të ndrydhur, por jemi akoma më të frikësuar se çfarë një shoqëri e lirë do të sjellë.

Unë i pari. Fajin i pari e kam unë, që ndonjëherë hesht e ndonjëherë tregohem indiferent ndaj atij tipit që hedh qesen e patatinave në tokë. Po, po është i gjithi faji im, se pak më vonë taksat e mija do paguajnë që ajo zonë të pastrohet. Pra, ai tipi i patatinave po më vjedh dhe unë ndonjëherë nuk i kushtojë rëndësinë e duhur. Fajin e ke mbase edhe ti, që kur çmimi i ujit, naftës, energjisë elektrike, urbanit etj. rritet, e nuk del të protestosh, por e sheh protestën madhështore me 50 veta të ndërgjegjshëm nga kafja përballë. Normalisht, që edhe ti s’ke faj e të prishet dita, se kamarieri ta sjell kafen me një fytyrë të ngrysur, po ç’të bëj i shkreti kur e ka rrogën sa për të blerë pesë ditë ushqime. Edhe pronarit nuk i vë faj, se mbase mezi e ka hapur atë biznes e me atë kafe mban familjen, e me qejf do ishte tek protesta për taksën që ja vështirëson punën, por duhet të punojë.

Faj nuk kanë as studentët që dridhen në dimër e plasin në verë në auditoret e tejmbushura, e pasdite u duhet të mësojnë, po kur mbarojnë shkollën rrinë të gjithë pa punë. Faj kanë minatorët në fakt, që u del shpirti duke punuar e nuk gjetën që nuk gjetën ndonjë diamant gjigand që t’ja hedhim të gjithë fukarallikut. Po diamantet e naftën, e qymyrgurin e ndonjë flori tek-tuk na e kanë marrë komshinjtë tanë dashamirës me pak asistencë vendase.

Fajin e kanë ata që kalojnë semaforin me të kuqe, që shohin një të moshuar dhe nuk e ndihmojnë të kalojë, ata që hedhin plehrat nga ballkoni për të bërë ndonjë kosh, po nëse i bie dikujt në kokë, mbyllet gjithçka me një “më fal”. Fajin e ka ai që godet një qen në rrugë kur nuk i ka bërë gjë e po ashtu edhe ai që bërtet ose i bie borisë kur ka ngelur në trafik. Fajin e ka ai që shan nga brenda makinës kur dikush futet keq e ai mjek që merr rryshfet. Fajin e ka ai gjykatës që liron kriminelë, po fajin më të madh e ka krimineli vetë. Fajin e ka ai pedagog që bën favore e ai student që do të kalojë me mik. Edhe ai shitësi që për turistët ka një çmim e për vendasit ka tjetër çmim, ka faj sa të duash. Fajin e ka edhe ligji që tek-tuk lë të lirë me dënime minimaliste pedofilët e vrasësit, po fajin e kanë edhe ata prindër që nuk i përkushtohen aspak fëmijëve.

Sado të dua të fajësoj gjithë botën e çdo individ në Tokë, shkoj nga shkoj e kthehem te vetja për pak autokritik. E nëse të gjithë do ta bënim këtë, do shikonim se edhe institucionet do reflektonin, edhe barrierat do hiqeshin, edhe njerëzit do ndiheshim më mirë. Nëse sot nuk ndihemi mirë është sepse mendojmë gjatë gjithë kohës se fajin na e kanë të tjerët për çdo gjë. Nëse sot nuk ndihemi mirë është për faktin se për çdo problem duam të gjejmë fajtor e kështu na ikën koha derisa e harrojmë farë problemin se shfaqet një tjetër. Të qënit aktiv nuk do të thotë vetëm të shkosh në aktivitete e të bësh foto, të qënit aktiv nuk do të thotë të shkosh qorrazi kudo e të besosh çdo gjë që të thuhet. Të jesh aktiv do të thotë të jesh dyshues, të jesh koshient. Të jesh aktiv do të thotë t’i biesh gjithë botës vërdalle e në fund të kuptosh se nëse dikush ka fuqinë për të bërë ndryshim je ti… bashkë me shokun dhe shoqen tënde dhe mbase 3-4 milionë njerëz të tjerë, por kjo vetëm nëse këta të tjerët bëjnë të njejtën gjë si ty.