Përkufizimet e gabuara duhen harruar
18 Shtator, 2020
Debati dhe aktivizmi
20 Shtator, 2020

Ç’është aktivizmi?

Pyetja e mësipërme duket sikur e jep përgjigjen vet, por e vërteta mbetet se ne vendin tonë, ku realiteti substancial ka ngelur në stanacion prej dekadash, përgjigja e elaboruar e kësaj pyetjeje duhet dhënë.

Aktivizmi konsiston në përpjekjet për të nxitur, penguar, drejtuar ose ndërhyrë në reforma shoqërore, politike, ose ekonomike me dëshirën për të bërë ndryshime në shoqëri drejt një të mire më të madhe. Ky është një përkufizim i përgjithshëm, dhe kështu duhet të mbesë. Sepse duke qenë i përgjithshëm, ky përkufizim e shkëput aktivizmin nga monopoli i politikës, dhe e fut në konturet e politik-bërjes.

Dallimi midis politikës dhe politik-bërjes është i rëndësishëm. Politika përfshin mekanizmat e marrjes së pushtetit, ndërsa politik-bërja definohet nga mënyra si ky pushtet përdoret në shërbim të realitetit. Në këtë sens, aktivizmi si politik-bërje shprehet edhe tek një individ që nuk pranon të blejë tek qendrat tregtare, por bën pazaret tek dyqanet e lagjes, për të mbështetur komunitetin lokal. Në këtë sens, aktivizmi si politik-bërje përfshin dhe rebelimin e pronarit të një qeni karshi normës sociale, që ndryshe nga shumëkush, kujdeset të pastrojë jashtëqitjen e kafshës së tij shtëpiake nëpër rrugë. Në këtë sens, aktivizmi si politik-bërje përfshin dhe mos-hedhjen e letrës së hundëve në rrugë.

Politik-bërja është e lidhur pandashëm me aktivizmin sepse të dyja këto kanë qëllim përmirësimin e realitetit nëpërmjet veprimesh të paramenduara. Në këtë qëllim, ato plotësojnë tërësisht njëra-tjetrën. Kjo sepse politik-bërja kryen hapin e parë drejt qëllimit, atë të të menduarit dhe planifikuarit. Me të mbaruar hapi i parë, stafetën e merr aktivizmi, i cili shërben si muskuli, pra ai që vepron për të realizuar atë që është planifikuar.

E parë nën këtë optikë, aktivizmi është jetik për çdo shoqëri, sidomos për ato që kanë kaluar një periudhë gjumi letargjik prej sistemeve diktatoriale. Për shkak të aktivizmit, shoqëria është në gjendje të luajë rol në të ardhmen e saj, duke vendosur çfarë është dhe çfarë nuk është e lejuar. E ndaj, aktivizmi, qoftë ai individual, qoftë ai i çuditshmi, ku mijëra njerëz mblidhen për të kërkuar atë që iu takon dhe që padrejtësisht nuk i jepet, është thelbësor për realitetin; bën kalimin nga ajo që jemi në atë që duhet të jemi, nga këtu ku jemi, në aty ku duhet të jemi, nga realiteti në normë. Nga aktivizmi, askush dhe asgjë s’ka ngelur në staniacion. Dhe ndonëse të ngelësh në vend është më mirë se të shkosh mbrapa; të shkosh para është më mirë se të ngelesh në vend.