Si të përgatitemi nga ana psikologjike për një pacient traumatik
November 3, 2016
Fillon Projekti “Reconstruction and rehabilitation of the Children’s Cultural Center in Librazhd”
March 11, 2017

Nisin audicionet e edicionit të dytë të “Tirana Art Fest”

“Tirana Art Fest” rikthehet sërish për të dytin vit radhazi në të gjitha gjimnazet e  Tiranës (publike dhe jopublike), ku të rinj nga mosha 15 deri në 19 vjeç performojnë në tre disiplina të ndryshme: muzikë, kërcim dhe multimedia. I kthyer tashmë në një traditë, Bashkia e Tiranës, nëpërmjet Drejtorisë së Rinisë, ka nisur organizimin e “Tirana Art Fest” që do të kontribuojë në promovimin e talenteve të reja. Audicionet e para kanë nisur në tre gjimnazet “Ismail Qemali”, “Partizani” dhe “Sami Frashëri”, ku i pranishëm ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Në aktivitetin e zhvilluar në gjimnazin “Sami Frashëri”, Veliaj theksoi se ky konkurs nuk është thjesht një garë, por një mundësi për të gjithë. “Është shumë e rëndësishme të kuptojmë që secili prej nesh ka një talent, ka një dhunti, e disa mund ta kenë talentin në shkencë, në çështjet e arsimit dhe në mësimdhënie. Dikush mund ta ketë në olimpiada, dikush mund të jetë i shkëlqyer në sport, por kjo është një hapësirë tjetër për të provuar veten dhe për të parë se sa vlen edhe në një fushë tjetër. Unë realisht besoj që një njeri që mban 10 përgjegjësi mund të bëjë dhe gjënë e 11-të, një njeri që s’bën dot asnjë gjë, s’bën dot dy gjëra sigurisht”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë u tha të rinjve që të kenë besim te fuqia që ata kanë dhe të mos lejojnë të tjerët që t’u ndërpresin ëndrrat. “Do takoni gjithë jetën njerëz që ju thonë nuk bëhet, që ju dekurajojnë e që ju thonë nuk funksionon kështu. Ajo që dua t’ju them është që të mos lejoni asnjeri t’ju dekurajojë e t’ju thotë që ajo që keni ndër mend nuk bëhet, sepse mund të bëhet nëse vini zemrën, mendjen, punën dhe gjithë energjinë tuaj”, tha ai.

Ndërsa gjatë takimit me nxënësit e gjimnazit “Partizani”, kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se disa nga aktivitetet e “Tirana Art Fest” do të organizohen tek ambientet e Piramidës, e cila është rihapur për publikun për organizimin e aktiviteteve të ndryshme. “Unë do të doja që nga tani e tutje të fillojmë të marrim mbrapsht hapësirat që janë okupuar, ose janë degraduar ndër vite”, tha ai.

“Tirana Art Fest” synon të risjellë gjallërimin e jetës kulturore-artistike rinore, këtë herë me përfshirjen e më shumë gjimnazeve publike dhe jopublike me risi në secilën kategori konkurruese. Përfshirja e të rinjve në rrugën artistike, pritet që të ketë një impakt pozitiv në fuqizimin e luftës ndaj bullizmit, alkoolit, drogës, duhanit, dhunës si dhe fenomeneve të tjera negative.

Nga data 23 janar – 28 janar 2017 do të zhvillohen audicionet për shkollat publike të qytetit të Tiranës, ndërsa nga data 30 Janar deri në datë 7 shkurt do të zhvillohen audicionet për shkollat private. Gjithashtu, trajnerët dhe stafi i Drejtorisë së Rinisë do të shkojë në shkollat e Njësive Administrative për të kryer audicione nga data 8 Shkurt deri në datë 17 Shkurt, kurse faza finale do të organizohet në javën e dytë të muajit maj, në sheshin “Nënë Tereza” ku do të ndahen edhe çmimet sipas çdo kategorive. /b.d