Mirë se vjen ‘LIBURNETIK Elbasan’!
23 Dhjetor, 2019

‘Mendimi kritik’ investim më i ri në përmirësimin e njohurive të nxënësve të shkollave 9-vjeçare

Zhvillimi i mendimit kritik tek nxënësit e shkollave 9-vjeçare është investimi më i ri ku do të angazhohet organizata LIBURNETIK me mbështetjen e Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Më datë 7 Shkurt 2020 me nxënësit e shkollës 9-vjeçare ‘Qamil Guranjaku’, në Elbasan u organizua për herë të parë një punëtori për testimin dhe fillimin e një investimi të ri në kuadër të projektit ‘Re-Debate 5.0 Kampionati Kombëtar i Debatit’ për të përfshirë dhe shkollat 9-vjeçare.

Zhvillimi i ‘mendimit kritik’ tek të rinjtë është një koncept i shumë debatuar brenda kornizës së edukimit jo formal, i prekur dhe trajtuar shumë nga organizatat e shoqërisë civile apo edhe si koncept i pranishëm në strategji të ndryshme që trajtojnë aspekte të edukimit alternativ dhe aktivizmit. Diskutimi mbi këtë koncept vazhdon dhe lidhet me grupmoshën e përshtatshme për trajtimin e tij. Nëse nga njëra anë mendohet se mosha e adoleshencës është idealja, pasi përshkohet nga një zhvillim konjitiv i rëndësishëm në jetën e një individi dhe me një fazë të gjerë socializimi, në anën tjetër studimet e fundit demonstrojnë se preadoleshenca është një fazë po aq interesante për sa i përket zhvillimit konjitiv, madje edhe më e ekuilibruar duke lejuar një përqendrim më konstant.

Në vijimësi të kësaj paranteze, LIBURNETIK, duke patur parasysh edhe eksperiencën e viteve të fundit me zbatimin e projektit Re-Debate në gjimnaze, zhvilloi një punëtori ku u trajtua dhe u testua se sa interes kanë nxënësit e shkollave 9-vjeçare për të zhvilluar dhe për të trajtuar tema që kanë si qëllim primar zhvillimin e ‘mendimit kritik’ dhe aftësisë së të argumentuarit.

Punëtoria u realizua falë angazhimit të dy anëtareve kryesore të LIBURNETIK Elbasan: Erka Tana dhe Sabaeta Zeneli dhe nën mentorimin e Z. Gentian Serjani, ekspert në fushën e aktivizmit në arsim. Punëtoria kishte si qëllim tu mësonte të rinjve konceptet bazë të debatit përmes diskutimeve dhe aktiviteteve të realizuara përmes metodave të edukimit jo-formal.

Ky aktivitet nxori në pah aftësitë e nxënësve për të argumentuar, për të stimuluar situata të ndryshme dhe për të përdorur statistika apo informacione në dobi të një teme të caktuar. Nxënësve iu ofrua gjithashtu një prezantim i shkurtër në lidhje me Etikën, të njohurit të ‘Temës’, koherencës dhe llojet e argumentit në një debat konstruktiv përmes lojërave dhe ushtrimeve të ndryshme duke i evidentuar ato me situata konkrete.

Ajo që u vu re gjatë trajnimit ishte perceptimi i përgjithësuar dhe i gabuar i debatit, duke e kuptuar atë si shëmbëlltyrë e zënkave apo diskutimeve në studiot televizive. Ky perceptim, falë programit të kësaj punëtorie, u ndryshua dhe synon të thellohet në aktivitetin e ardhshëm gjatë të cilit është planifikuar të zhvillohen edhe dy debate mbi tema të caktuara, të përshtatshme për këtë grup moshë.

Vlen për tu theksuar se ky aktivitet u bë i mundur edhe falë një bashkëpunimi të frytshëm midis organizatorëve, bordit të prindërve dhe drejtorisë së shkollës.

Gjatë dhe pas aktivitetit nuk munguan komentet pozitive dhe frymëzuese të prindërve dhe mësuesve që na inkurajuan – “të vazhdoni në këtë drejtim, me dëshirën e madhe për të krijuar një brez të rinjsh që do të sjellë ndryshimin në mënyrën se si debatohet, se si mbrohen mendimet dhe se si ndërtohen argumentet, duke u afruar më pranë kulturës demokratike perëndimore”.

 

Eksperienca me shkollën 9-vjeçare ‘Qamil Guranjaku’ në qytetin e Elbasanit shërben për ndërtimin e një eksperiencë pozitive për përmirësimin e mendimit kritik te nxënësit edhe në shkollat e tjera 9-vjeçare.