Studentët marrin fjalën: Tirana pret Finalen Kombëtare të UNI Debate
13 Qershor, 2025
Ftese per Oferte: Mbështetje Ligjore në kuadër të projektit ‘Nomad Tech – Fuqizimi i Gjeneratës së Ardhshme të Inovatorëve’
22 Korrik, 2025

UNI Debate: Kur studentët sfidojnë idetë, jo njëri-tjetrin. Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë shpallet fitues i Kampionatit Kombëtar të Debatit

Në një kohë kur diskursi publik shpesh dominohet nga zhurma dhe polarizimi, një platformë e re me qendër në universitetet shqiptare ofroi një shembull të qartë se të rinjtë janë të gatshëm të debatojnë me fakte, të dëgjojnë dhe të ndryshojnë. Bëhet fjalë për UNI Debate, projekti që për herë të parë solli një kampionat kombëtar debati ndëruniversitar, i konceptuar si një mjet edukimi qytetar dhe nxitje e mendimit kritik.

Të mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe TITAN Albania të zbatuar nga LIBURNETIK Organisation, debatet u zhvilluan në një format të strukturuar dhe me rregulla të qarta, larg retorikës populiste dhe më afër logjikës së argumentit dhe dëgjimit aktiv.

Një format i munguar në mjedisin universitar

Debati nuk është vetëm një ndeshje fjalësh, është një ushtrim kompleks që përfshin analizë, dëshmi, ndershmëri intelektuale dhe përballje me mendimin ndryshe. Në këtë sens, UNI Debate mbushi një boshllëk të vjetër në mjedisin universitar shqiptar, ku shpesh nuk ekzistojnë hapësira për ushtrimin praktik të mendimit kritik përtej teorisë akademike.

Pjesëmarrësit, studentë nga universitete publike dhe jopublike, trajtuan tema me rëndësi sociale si:

  • Emigrimi: zgjedhje personale apo presion ekonomik?

  • Inteligjenca Artificiale: mjet ndihmues apo sfidë etike?

  • Konsumi i përgjegjshëm: a kanë të rinjtë realisht ndikim?

  • Rinia si agjent ndryshimi: utopi apo realitet?

Këto tema nuk ishin thjesht për ushtrim mendjeje, por përballje me dilema reale që ndikojnë vendimmarrjen individuale dhe kolektive në shoqëri.

 

Më shumë se një garë: Një laborator qytetarie

Në finalen e mbajtur në Tiranë, Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës u shpall fitues, ndërsa Tirana Business University (TBU) dhe Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër zunë vendin e dytë dhe të tretë. Por më shumë se sa fitues, ky format krijoi një hapësirë për ushtrimin e një qytetarie që rrallë kultivohet në auditorë – të mendosh kritikisht dhe të argumentosh me respekt.

Gentiana Probibaj, studente nga Universiteti i Shkodrës, u shpall Debatuesja më e Mirë, duke përfaqësuar me qetësi, përgatitje dhe qartësi thelbin e asaj që UNI Debate synon të zhvillojë: një brez të ri që flet për të kuptuar, jo për të bindur me çdo kusht.

Nga ide në politikë publike?

E pranishme në finale, Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi, e vuri theksin te nevoja për ta kthyer debatin në pjesë të edukimit të të rinjve, jo si një aktivitet rastësor, por si metodë të të menduarit dhe të të folurit.

“Të rinjtë kanë nevojë për hapësira ku të mësojnë të shprehen dhe të përballen me ide. Fuqia e tyre nis me fjalën dhe vazhdon me ndryshimin”, u shpreh ministrja, duke shtuar se mbështetja për këtë format nuk është një nismë e vetme, por një fillim.

Nga ana tjetër, TITAN Albania, përfaqësuar nga z. Dritan Nako dhe znj. Kristina Lato, e cilësoi këtë nismë si një investim social në edukimin dhe fuqizimin qytetar të brezit të ri, një përqasje që tejkalon formën e zakonshme të sponsorizimeve.

Përtej fjalëve, drejt ndikimit

Në fund të kësaj eksperience, ndjenja mbizotëruese ishte që UNI Debate nuk ishte një lëvdatë për rininë, por një ushtrim serioz i përfshirjes së saj.
Siç u shpreh një prej pjesëmarrësve:

“Të rinjtë nuk janë vetëm për t’u dëgjuar. Ata janë për t’u marrë seriozisht.”

Dhe për këtë, UNI Debate nuk dha thjesht një çmim, por ndihmoi në formësimin e një kulture të re – atë ku fjala ka peshë dhe argumenti ndërton, jo përçar.