FTESË PËR OFERTË – Ushqim | Projekti UNI-Debate
May 26, 2025
UNI Debate: Kur studentët sfidojnë idetë, jo njëri-tjetrin. Universiteti i “Ismail Qemali”, Vlorë shpallet fitues i Kampionatit Kombëtar të Debatit
June 20, 2025

Studentët marrin fjalën: Tirana pret Finalen Kombëtare të UNI Debate

Një udhëtim 10-mujor drejt një skene ku fjala ka peshë, jo vetëm zë. 8 skuadra, 32 debatues të përzgjedhur, dhe një qëllim të vetëm: fuqizimin e mendimit kritik dhe qytetarisë aktive te të rinjtë shqiptarë.

Në një epokë ku fjalët janë të shumta, por debatet e vërteta të pakta, UNI Debate: Skena e Mendimit Kritik vjen si një kundërpeshë serioze ndaj “zhurmës”, një projekt që jo vetëm nxit aftësitë argumentuese, por forcon vetëdijen qytetare dhe mendimin kritik në mesin e të rinjve shqiptarë.

Në datat 18 dhe 19 qershor 2025, Destil Creative Hub në Tiranë do të jetë arena ku do të zhvillohet Finalja Kombëtare e UNI Debate. Një ngjarje e rëndësishme që përmbyll një rrugëtim 10-mujor, me trajnime, përballje në nivel universiteti dhe një përzgjedhje të kujdesshme të 32 studentëve finalistë, të ndarë në 8 skuadra, secila përfaqësuese e një universiteti publik apo jopublik.

Një debat që ngrihet mbi vlera, jo mbi zëra

Projekti zbatohet nga Shoqata LIBURNETIK me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrisë së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, si pjesë e strategjisë për të përfshirë të rinjtë në mënyrë aktive në jetën publike dhe për të nxitur përvetësimin e aftësive qytetare, profesionale dhe sociale.

Formati i debatit të përzgjedhur është Lincoln-Douglas, një model ndërkombëtar i debatit filozofik dhe etik, i cili vendos theksin te vlerat, drejtësia dhe argumentimi logjik. Studentët përballen në role kundërshtare – Pro dhe Kundër – për tema të aktualitetit shoqëror, duke ndërtuar një diskutim që ndriçon, sfidon dhe edukon.

Nga kampuse në skenën kombëtare

Studentët finalistë janë përzgjedhur pas debateve të organizuara në secilin universitet. Universiteti i Tiranës (FHF dhe FSHS), Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit dhe Universiteti TBU në Tiranë do të përfaqësohen nga nga një skuadër secila, katër anëtarë që mbartin zërin e komunitetit të tyre akademik.

Agjenda e Finales: një duel idesh në dy ditë

  • 18 QershorFaza Rajonale-Eliminatore: Përballje e të gjitha skuadrave për të përcaktuar gjysmëfinalistët.

  • 19 QershorGjysmëfinalet, Finalja e Vogël dhe Finalja e Madhe përmbyllin kompeticionin. Dita do të kulmojë me shpalljen e fituesit, dhënien e çmimeve, dhe fjalët përshëndetëse nga organizatorët dhe përfaqësuesit institucionalë.

Debati si akt qytetar

UNI Debate nuk është vetëm një garë, por një mision: të krijojë një brez studentësh që dinë të pyesin, të sfidojnë dhe të ndërtojnë me forcën e argumentit. Në një shoqëri ku shpesh fjala është instrument për ndasi, ky projekt e kthen atë në mjet për ndërtim, reflektim dhe veprim.

Ndërkohë që përplasjet në skenën publike shpesh shihen si shfaqje, këtu, përballjet janë shkollë. Sepse për studentët që ngjiten në skenën e UNI Debate, fitorja më e madhe nuk është çmimi, por përvetësimi i një kulture të re komunikimi dhe mendimi.

Për më shumë informacion dhe dokumentim vizual nga ngjarja, ndiqni rrjetet sociale të Shoqatës LIBURNETIK.