busullaime-cover-web

Busulla ime

 

Rreth projektit

Projekti ‘Busulla Ime’ lindi dhe u realizua falë mbështetjes dhe bashkëpunimit me organizatën World Vision, u ndërtua në trajtën e një shkolle verore të cilës iu bashkangjitën tipare trajnimi duke zbatuar metodologjinë e formimit jo formal. Ky projekt kishte si qëllim orientimin e të rinjve të shkollave të mesme profesionale rreth drejtimit në nivel profesional dhe ndërgjegjësimit se gjithçka ata kanë për të ofruar nuk mund të realizohet më së miri pa patur parasysh rëndësinë e të jetuarit dhe vepruarit në grup dhe pa njohur në mënyrë konkrete peshën që secili ka në komunitet.

‘Busulla Ime’ iu drejtua një grupi prej 60 të rinjsh të përzgjedhur nga shkollat e mesme profesionale të mëposhtme:

Shkolla e Mesme profesionale ‘Hamdi Bushati’, Shkodër
Shkolla e Mesme profesionale ‘Kolin Gjoka’, Lezhë
Shkolla e Meme profesionale, Kamëz
Shkolla e Mesme Teknike Ekonomike ‘Isuf Gjata’, Korçë

Projekti u shtri në 2 javë aktivitet dhe pjesëmarrësit u ndanë në 2 grupe me nga 30 vetë.

Për të realizuar sa më lart shkolla verore u konceptua si një trajnim, ku në bazë të një programi të rinjtë të merrnin informacion mbi aspekte të ndryshme të profileve të tyre profesionale, por edhe ndërtimit të një strategjie që fillon me identifikimin e një ideje, ndërtimit të saj dhe dhënies së një forme për ta zhvilluar më tej si një start-up. Rëndësi iu dha specifikisht prezantimit të ideve në grup përmes mundësive që ofron teknologjia, si video presentation, web, social media, etj.

Ndër të tjera, iu kushtua vëmendje pikave të mëposhtme:

  • Njohuri të përgjithshme mbi parimet e sigurisë ushqimore.
  • Baza mbi gatimin dhe ruajtjen e frutave dhe perimeve.
  • Baza mbi Sigurimin e kushteve personale dhe mbi ambientin e punës, roli i higjienës, etj.

Programi i ndërtuar enkas për nxënësit e shkollave të mesme profesionale parashikoi dhënien e disa elementeve formuese praktike për zhvillimin e metodave që mund të ndihmojnë një kamerier në lehtësimin e detyrave të përditshme, specifikisht në lidhje me:

  • Mirësjelljen dhe sistemimin e klientëve;
  • Krijimin e një ambienti familjar;
  • Marrjen e porosisë;
  • Shërbimin e vaktit;
  • Pastrimin e tryezës pasi klientët kanë përfunduar konsumimin e ushqimit.

Këto baza, të cilat ata i marrin edhe përmes kurrikulës shkollore, u pasuruan me disa tipare të tjera që kanë të bëjnë me orientimin drejt tregut të punës, vetëpunësimin dhe prezantimin e ideve të biznesit. Një pjesë e mirë e programit iu dedikua pikërisht përgatitjes së prezantimeve të ideve
të ndryshme përmes programeve powerpoint dhe prezi, por jo vetëm: vëmendje iu dha të folurit në publik dhe se sa e rëndësishme është të ndajmë me të tjerët marrjen e disa vendimeve në jetën tonë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i shkollës verore në lidhje me prezantimin e ideve ishte rëndësia e marketingut. Përmes metodologjive dhe strategjive të njohura, si: ajo e INBOUND MARKETING, vendoset theksi në format se si publiku e percepton një produkt dhe se si jepet mundësia e realizimit të një analize paraprake mbi tregun dhe metodat me efikase të marketingut.

Krahas këtij programi të ngritur specifikisht për zhvillimin e aftësive ndërpersonale dhe atyre në grup, një tjetër aspekt i rëndësishëm i shkollës verore ishte ndërthurja mes detyrave dhe momenteve zbavitëse. Në këtë mënyrë, të rinjtë përfituan nga programi, u kujdesen për çdo nevojë të tyren duke u organizuar në grupe për të pastruar çdo ditë të gjitha hapësirat personale dhe të përbashkëta, për të gatuar dhe për të shërbyer vaktet.

Dhënia e këtyre detyrave kishte si qëllim dhe i tejkaloi pritshmëritë, që të krijonte një atmosferë të ngrohtë dhe të edukonte të rinjtë mbi rëndësinë e punës së përbashkët, por edhe t’i vendoste ata në një gjendje që të kuptonin dobishmërinë e rregullave.

Implementon

Organizata LIBURNETIK

Mbështetur

World Vision Albania