Labirinti i rrugëve të shkurtra
October 16, 2021

Nis Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë: LIBURNETIK në edicionin V të Kampionatit të Debatit me shkollat e mesme

Debati si instrument për modelin e zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë.

Në një kontekst historik kaq të paqartë, në kushtet e krizave të njëpasnjëshme në vend dhe në rajon, nën emëruesin e përbashkët të përballjes së një pandemie globale dhe sigurisht në vijimësi të zhvillimeve të procesit të integrimit evropian dhe të dekadës së re që kemi hyrë tashmë, shihet me prioritet përfshirja e të rinjve, zhvillimi i mendimit kritik me në fokus debatin rreth modelit social dhe ekonomik të vendit duke siguruar kështu ndërtimin e një modeli gjithëpërfshirës.

Duke u bazuar në traditën tashmë të konsoliduar të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) për programin e debatit, si edhe në rigjallërimin e kulturës së debatit në nivel gjimnazi nga Organizata Liburnetik dhe në nivel universitar nga Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) si edhe në interesin e lartë të shfaqur nga nxënësit, mësuesit, studentët dhe pedagogët, si edhe aktorë të tjerë, nis Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë për 2021-2024.

 

Qëllimi dhe objektivat e Programit Kombëtar të Debatit Rinor

Qëllimi i Programit Kombëtar të Debatit Rinor është të fuqizojë të rinjtë (gjimnazistët dhe studentët) për të qenë qytetarë aktivë, të mirë-informuar dhe të ndërgjegjësuar se cfarë rëndësie ka për ta procesi i mendimit kritik, komunikimi konstruktiv dhe aftësitë të të folurit në publik duke marrë pjesë në proceset vendimmarrëse në komunitetin e tyre si dhe në jetën publike.

Objektivat specifikë të projektit janë:

  1. të konsolidojë kulturën e debatit, kultivimin e analizës dhe të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive në Shqipëri tek të rinjtë në shkollën e mesme;
  2. të përforcojë aftësitë dhe mundësitë për veprim në jetën publike të studentëve përmes aktivizimit offline dhe online si edhe zhvillimit të aftësive analizuese, kritike dhe komunikuese përmes debatit mbi modelin e zhvillimit social-ekonomik për të ardhmen;
  3. të nxisë debatin mbi modelin e zhvillimit social ekonomik të Shqipërisë me fokus kryesisht arsimin, por edhe fusha të tjera prioritare për nxënësit dhe studentët;

Organizatat zbatuese të Programit Kombëtar të Debatit Rinor

Programi Kombëtar i Debatit Rinor mbështet nga OSFA dhe do të zbatohet nga Organizata Liburnetik dhe SCiDEV, secila organizatë me projektin e saj të debatit në vazhdimësi të traditës së krijuar tashmë të fokusuar përkatësisht tek gjimnazistët dhe tek studentët.

LIBURNETIK do të organizojë Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme në bazë të formatit ‘IDEA’ duke përfshirë 40 shkolla të mesme publike dhe jo publike në nivel kombëtar. Është për tu përmendur se interesi gjithmonë në rritje i aktorëve të tjerë do mund të rrisë numrin e shkollave të mesme të përfshira në këtë kampionat. Organizata LIBURNETIK punon me të rinjtë në shkollat e mesme në të gjithë vendin duke i fuqizuar ato përmes proceseve aktive të zhvillimit të mendimit kritik, etikës në komunikim, tolerancës së mendimit ndryshe dhe të folurin në publik.

SCiDEV do të organizojë projektin ‘Laboratori i Debatit Universitar – Nga Fjala tek Veprimi’ duke përfshirë 14 universitete në 5 qytete në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. SCiDEV punon me studentët për t’i fuqizuar ata për të qenë të angazhuar në sferën publike përmes debatit si një instrument për aktivizimin e të rinjve si dhe përmes zhvillimit të aftësive kërkimore dhe advokimit të bazuar tek evidencat dhe të dhënat.

 

Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme

Rezultatet e pritshme nga ‘Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme’ i Organizatës LIBURNETIK janë:

  • Kultura e debatit e konsoliduar, analiza dhe të menduarit kritik, etika në komunikim, toleranca dhe vlerat e qytetarisë aktive në Shqipëri tek të rinjtë në shkollën e mesme;
  • Zhvillimi i aftësive dhe mundësive për veprim në jetën publike të studentëve përmes aktivizimit off-line dhe on-line të përforcuara si edhe aftësitë analizuese, kritike dhe komunikuese përmes debatit mbi modelin e zhvillimit social-ekonomik për të ardhmen;
  • Fuqizimi i të rinjve, angazhimi dhe pjesëmarrja e tyre në sferën publike dhe me propozime konkrete për çështje të lidhura me modelin e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.

Grupet që do të përfitojnë nga Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit për Shkollat e Mesme

  • 800 të rinj të moshave nga 16-19 vjeç, nxënës së shkollave të përzgjedhura;
  • 40 mësues të shkollave të përzgjedhura;
  • Komuniteti në nivel qyteti dhe më gjerë, i cili do të arrihet falë punës që do të kryhet në lidhje me promovimin e aktiviteteve të projektit dhe shikueshmërinë e tij;
  • 10 të rinj që do të jenë pjesë e ‘The bloggers’;
  • 40 shkolla të mesme.

Aktivitetet kryesore të ‘Re-Debate, Kampionati Kombëtar i Debatit

  1. Përgatitja e planit të punës dhe ndarja e përgjegjësive midis anëtarëve të grupit të punës.
  2. Arritja e një bashkëpunimi zyrtar me Ministrinë e Arsimit për projektin e debatit në shkollat e mesme që do të përfshihen në projekt.
  3. Anëtarët e grupit të punës do të përgatisin manualin e formatit IDEA të debatit si dhe paketat kërkimore ku do të bëhen hulumtime për temat kryesore që do të debatohen nga nxënësit.
  4. Përzgjedhja e mësuesve të çdo shkolle që do të krijojnë grupin e debatit.
  5. Informimi i nxënësve dhe studentëve për projektin e debatit. Koordinatorët / ekspertet në bashkëpunim më mësuesit në shkollat e mesme përkatëse do të informojnë nxënësit për projektin debatit, raundet dhe kohën e trajnimeve.
  6. Trajnimi i 10 gjykatësve të debateve.
  7. Trajnimi i nxënësve dhe studentëve. Dy trajnerë do të realizojnë trajnimin e nxënësve në qytetet e planifikuara në bazë të planit të punës dhe në bashkëpunim me koordinatorët lokalë.
  8. Takime periodike, dy në muaj, me secilin nga tre grupet e formuara për të zhvilluar dhe për të ndjekur iniciativat e ndërmarra në nivel lokal.
  9. Pasurimi i faqes së internetit të projektit. Në këtë faqe do të jenë të aksesueshme të gjitha debatet dhe do të ofrojë dhe mundësi që të rinjtë të pasqyrojnë njëkohësisht edhe situata në lidhje me iniciativat e ndërmarra në nivel lokal, duke përgatitur blogje apo opinione të ndryshme.
  10. Debatet e raundit të parë në rang qyteti (në varësi të numrit të shkollave të përzgjedhura).
  11. Diskutime të grupit të punës për rezultatet në fund të gjashtë-mujorit të parë. Grupi i punës do të diskutojë në detaje rezultatet e arritura, vështirësitë dhe sfidat për të realizuar me sukses objektivat e projektit.
  12. Debatet e raundit të dytë dhe të tretë në rang kombëtar, sipas formulës së kampionatit.
  13. Diskutime të grupit të punës për rezultatet. Grupi i punës do të diskutojë në detaje rezultatet e arritura, rastet më të mira dhe më të vështira dhe si ta përdorë këtë eksperiencë në të ardhmen.

 

Për më shumë klikoni në faqet e internetit të Re-Debate dhe LIBURNETIK, si dhe ndiqni publikimet në Facebook Re-Debate dhe Instagram Re-Debate.