Panem et Circenses dhe Dhia e Komshiut
8 Tetor, 2021
Nis Programi Kombëtar i Debatit Rinor për Modelin e Zhvillimit Social dhe Ekonomik të Shqipërisë: LIBURNETIK në edicionin V të Kampionatit të Debatit me shkollat e mesme
19 Tetor, 2021

Labirinti i rrugëve të shkurtra

Në vizionin e të pasurit një qëllim për të arritur, një projekt për të përmbushur ose një shpërblim mundi për të marrë, gjithesecili harton strategjinë dhe rrugën që do të ndjek drejt destinacionit të tij/saj. Për vetë prakticitetin e natyrës njerëzore, rrugët e shkurtra dhe më pak të zorshme janë më të lakmuarat. Por, synimi i gjetjes së sa më shumë të tillave ka krijuar sot një labirint që drejtperdrejtë ose jo i pret rrugën konkurencës së pastër.

Shembujt e  të kuptuarit të metaforës në titull janë të panumërt, por nëse lista do të niste prej më të thjeshtit, përmendim një provim testues të të nxënit në një lëndë shkollore. I thënë nën zë, por i njohur ne një mendim është fakti që një pjesë e studentëve lakmojnë notën, por jo dijen. Nën të tillë synim, i investohen gjetjes së mënyrave për të kopjuar ose më keq, korruptuar blerjen e saj. Por a kanë sukses të tilla mënyra? Fatkeqësisht jo rrallë! A i afron e pandershmja me synimin? Më lehtë sesa mundimi! A përbëjnë pengesë për vlerësimin e pastër të profesionistëve të ardhshëm? Veçanërisht për ata që synojnë të konkurojnë vetëm aftësinë!

Këto rrugë të shkurtra, të nisura (ndoshta) pa ligësi të mëdha në bankat e shkollës, vazhdojnë më pas dredhojnë në tregun e punës. Marrja e një provimi aplikues pa qenë nevoja të paraqitesh është ndonjeherë aq e lehtë sa firmosja e një çeku bankar. Miqësia me anëtarë komisionesh e kthen veshjen e uniformës së profesionit në thjesht çështje kohe. Më e palogjika, pozicionet mund të trashegohen si pronësi familjare.

Në këto kushte është aspak çudi të të kërkohet bashkëpunimi me koleg që nuk e kuptojnë detyrën e tyre, të të jepen urdhra prej eproreve që ngatërrojnë marrjen e një karrigeje me vetfitimin e reputacionit, të sorollatesh në dyer institucionesh që i pasojnë njeri-tjetrit përgjegjësitë në kushte paaftësie të zgjidhjes së problemit ose të mos arrish të marresh çfarë me meritë synon sepse në rrugën tënde të drejtë udhekryqëzohen shumë rrugë të shkurtra.

Problemi real i labirintit në fjalë nuk qëndron në mungesën e identifikimit të të gjithëve rrugëve të tij, por në pranimin e heshtur si tashmë “të zakonshme” të tyre dhe për rrjedhojë mungesën e denoncimit. Niveli i pesimizmit ndonjeherë arrin kulmin e frikshëm ku refuzojmë pjesëmarrjen dhe shpalosjen e potencialit sepse e konsiderojmë sfidë të humbur ende pa nisur vetëm si rezultat i të gjendurit në të njejtin konkurs me individ që ‘rrugët e shkurtra’ mund t’i gjejnë lehtë.

Në thelb, ky labirint pengues i zhvillimit të pastër social është përgjegjësi jo vetëm e ndërtuesve të tij, por edhe pranuesve. Pasojë është një shoqëri që sorollatet në rrugët e shkurtra të pameritës, pa arritur kurrë frytet e rrugëtimeve të gjata e të ndershme. Edukimi i çrrënjosjes së të tillë koncepteve përbën detyrim moral, në të kundërt gjetja e daljes prej të tillë qorresokakeve do të përbejë së shpejti jo veç sfidë, por krizë zhvillimi dhe emancipimi.