Parahistorizmi online
15 Mars, 2021
Përtej pandemisë…
15 Mars, 2021

Kur (nuk duhet) të mësohesh…

Më vitin 1978 në Amerikë u zhvillua një studim për të parë sa relative është lumturia. 22 persona që fituan miliona dollarë në lotari, 22 persona që nuk fituan lotarinë dhe 29 tjerë të cilët humbën një apo më shumë gjymtyrë të trupit të tyre në aksident u pyetën sa të lumtur ndiheshin një vit pasi u bën të pasur, humbën një apo disa gjymtyrë, apo nuk përjetuan asnjë ngjarje jetëndryshuese. Personat që fituan lotarinë deklaruan se ndiheshin fare pak më të lumtur pasi tanimë ato ishin mësuar me “jetën mondane”, invalidët u shprehën se ishin pak a shumë njësoj të lumtur pasi ishin mësuar së jetuari me aftësi të kufizuar duke shtuar se mërziteshin kryesisht duke idealizuar të shkuarën. Personat që nuk kishin kaluar ndonjë ndodhi të veçantë u shprehën se ndiheshin njësoj të lumtur. Studime të tjera kanë treguar se shumica prej ndodhive “të rëndësishme” që ndodhin në jetën tonë kanë fare pak ndikim tek lumturia jonë 3 muaj pasi ato kanë ndodhur. Arsyeja për këtë është sepse njeriu mësohet me situatën, përshtatet dhe vazhdon së jetuari. Siç thotë dhe populli ynë i urtë çudia më e madhe zgjat tre ditë.

Ajo që unë dua të diskutoj është rreziku që i kanoset njeriut nëse ai përshtatet dhe mësohet me situatën nëse ajo situatë është absurde dhe e padrejtë. Lë të marrim një rast konkret. Një fëmijë i lindur në vendin e madhërishëm të shqiponjave (në zhdukje) rritet me frymën se ka mundësi të kufizuara për të patur sukses pasi në Shqipëri nuk ka meritokraci dhe se për të arrirë diçka duhet të kesh miq ose/dhe para. Ky fëmijë e dëgjon këtë shprehje gjatë gjithë jetës së vetë dhe kur arrin në moshë për t’iu bërë pjesë aktive të shoqërisë ai: a) dëshiron të largohet nga vendi pasi këtu nuk ka shpresë, b) ul kokën dhe pranon si normale anormalitetin e shoqërisë duke u kënaqur me më pak nga se meriton dhe me mbijetesën, c) përpiqet me mish dhe me dhëmb të bëhet e pjesë sistemit duke u shndërruar në karburant të tijën. Manos Haxidhakis në një shkrim thotë se bota shkon drejt zeros kur njeriu mësohet të ketë frikë. Kjo ndoshta është dhe fatkeqësia më e madhe e shoqërisë tonë: jemi mësuar të kemi frikë, jemi mësuar të heshtim, jemi mësuar të normalizojmë anormalitetin, jemi mësuar të pranojmë duar hapur padrejtësinë dhe absurditetin, jemi mësuar të mos kemi dëshirë për të luftuar për të korrigjuar gabimet e së shkuarës.

Tek Republika, Platoni parashtron alegorinë e shpellës. Sipas kësaj alegorie, një grumbull njerëzish e kalojnë tërë jetën e tyre të mbërthyer në një shpellë duke parë një mur të zbrazur tek i cili reflektohen hijet e objekteve që kalojnë pranë zjarrit që ato kanë nga pas. Njeri prej tyre arrin të arratiset nga shpella, shikon që hijet nuk janë realiteti, kthehet pas për ti treguar të vërtetën njerëzve të tjerë që janë të mbërthyer por ato nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë apo të arratisen nga shpella pasi për ta ky është realiteti. Mendoni pak për shoqërinë shqiptare. Tani mendoni për problemet (e shumta) që ka kjo shoqëri. Të gjitha këto janë hije dhe është detyra e secilit prej nesh të dalim në dritë dhe të kontribuojmë që të mos lejmë njerëz të jetojnë në hije.