Të dish apo të dish shumë?
18 Dhjetor, 2020
Roli i debatit, integritetit, etikës dhe komunikimit në aspektin personal
19 Dhjetor, 2020

Votim mbi viktimën e emëruar INTEGRITET

Është thellësisht në natyrën e individit të sotëm, pre e një kulture pseudo intelektuale dhe komerciale, të përdor një fjalor mbresëlënës nga ana fonetike dhe prejardhja etimologjike. Kjo është një kritikë nga e cila nuk shpëtojmë dot. Madje viktima e parë e kësaj kritike është pikërisht fjalia e parë e këtij artikulli.

Ndoshta pa dashur dhe ndoshta plotësisht duke dashur kemi arritur në një konfuzion gjuhësor që prodhon vazhdimisht debate dhe shkëmbime idesh të cilat krijojnë një konfuzion gjuhësor akoma më intensiv. Rezultati? Jemi kthyer në prodhues viktimash leksikologjike.

Për këtë arsye ju ftoj të mbajmë një votim. Cila është fjala-viktimë e jona më fatale dhe për rrjedhojë më e preferuara?

Propozimi im është fjala ‘integritet’.

 

Si shumica e fjalëve të huaja që gjuha shqipe ka huazuar edhe kuptimi i kësaj fjale tashmë është popullarizuar në mënyrën më lehtësisht të kuptueshme, por jo domosdoshmërisht më të saktë. (Duhet pranuar në fakt që si fjalë tingëllon shumë bukur në fjali. Kjo më së shumti ka ndikuar në përdorimin e kësaj fjale kudo: në debate, shkolla, ambjente pune, fushata elektorale, artikuj, tregje, kafene…) Askush nuk i ka shpëtuar përdorimit pasiv ose aktiv të kësaj fjale, ashtu siç kjo fjalë nuk i ka shpëtuar sot vrasjes që i kemi bërë interpretimit të kuptimit të saj.

Në qoftë se do të njiheshim me përkufizimin e fjalës  ‘integritet’, do të hasnim një formulim të tillë ‘tërësi normash, parimesh dhe vlerash të cilat shfaqin një qëndrueshmëri dhe unitet të brendshëm dhe bazohen në moralin shoqëror dhe politik‘.

Nga ana tjetër në qoftë se do ishim ne përkufizuesit e fjalës ‘integritet’ do ta njëhsonim kuptimin e saj me terma të njohur si ‘sinqeriteti’, ‘ndershmëria’, ‘mungesa e korrupsionit’, ‘besnikëria’, ‘uniformiteti’ dhe ndoshta mjaftueshëm terma të tjerë sinonim.

Dukshëm shtrohet pyetja se ku qëndron në fakt dallimi midis përkufizimit të parë, që është një fjali me fjalë të mëdhaja dhe midis përkufizimit të realizuar nga ne, e cila duke qënë një varg fjalësh duket sikur kap esencën e termit që duam të përkufizojmë.

Dallimi në fakt është i madh. Aq i madh sa ne jemi bërë viktima të viktimës që kemi krijuar.

Fjalët, që ne përdorim për të përkufizuar integritetin, në thelb të tyre janë thjesht cilësi. Asgjë më tepër se sa cilësi. Pra ato ose janë të gjendura në një sistem apo shoqëri ose jo. Asgjë më tepër se sa absolutizma. Po sa vend kanë absolutizmat në koncepte thellësisht shoqërore dhe thellësisht njerëzore? Sa vend ka aludimi se integriteti është cilësi?

Qartazi mund të shprehemi se integriteti në thelb të tij është instiktiv. Nuk është shpikur nga njeriu, por është zbuluar prej tij. Fundja njeriu në momentin që has një barrierë të shkaktuar nga mungesa e korrektesës apo sinqeritetit ka instiktin e përballjes, reagimit dhe kërkimit të drejtësisë. Njeriu lind me këtë nxitje. Po ashtu, integriteti duke qënë i njëvlershëm me vlera si sinqeriteti apo besnikëria bëhet një element shoqëror tejet i dëshirueshëm. Kush refuzon të mbajë pranë vetes individë që i qëndrojnë besnik apo jo? Cilët qytetarë do të refuzonin një qeveri që i qëndron direktivës që ka parashtruar? Shtojmë që integriteti shërben si indikator i ambjentit politik, ekonomik dhe fetar të një vendi. Nuk ka cilësi përveç integritetit që mund të reflektojë më mirë mungesën e korrupsionit në një shtet, apo jo? Pra në fund të fundit integriteti është thjesht një përmbledhje e vlerave më të mira, më të larta. Thjesht, një kocept përgjithësues dhe përmbledhës cilësish. Qartazi mund ta themi këtë, apo jo?

Patjetër që mund ta themi, por mund ta themi vetëm duke u bazuar në të drejtën e lirisë së fjalës, sepse në qoftë se do të pretendonim se kishim të drejtë unë gjykoj se qartazi nuk mund të shprehemi ashtu.

Më lejoni t’ju drejtoj një pyetje. Gjatësia e pemës është vërtëtë një cilësi/karakteristikë e pemës që përshkruajmë/vështrojmë?

Bazuar në formimin tonë (aludim paragjykues) përgjigja e parë do ishte që po, fundja çdo lloj peme ka kuadrin e saj të gjatësisë, të cilin nuk e tejkalon në kushte normale.

Faktikisht gjatësia nuk është diçka me të cilën pema lind, por është diçka që pema e zhvillon. Fillimisht rrënjët e forta dhe tendenca e tyre për të depërtuar në tokë i sigurojnë bazë të fortë dhe mundësi ushqyese. Trashja dhe zgjatja e trungut dhe degëve përmes shumimit të qelizave të gypave përçues (floema/ksilema) i mundëson pozicionim më të mirë dhe qarkullim të lëndës ushqyese në të gjitha pjesët. Gjethet përmes tropizmit dhe klorofilit realizojnë prodhimin e lëndës ushqyese duke fuqëzuar rrënjët dhe trungun. Po, pemët nuk mund të tejkalojnë parashikim e tyre genetik, por përsëri mund të luhaten brenda shifrave të gjatësisë në varësi të kushteve ku rriten. Fundja pemë të të nëjtit lloj kanë gjatësi të ndryshme dhe ekzistenca e varjacionit dëshmon vetëm një gjë. Në thelb gjatësia e pemës nuk është karakteristikë e pemës, por kompetencë e saj. Nuk është një premisë që numerikisht ajo duhet ta arrijë, por është një objektiv për të cilën ajo shfrytëzon cilësitë e saj për ta arritur.

Integriteti është pikërisht si gjatësia e pemës. Një kompetencë e plotë e individit dhe shoqërisë ku ai bën pjesë dhe jo një cilësi e tij/saj.

Fundja integriteti nuk është instiktiv për aq kohë sa njeriu nuk lind me shoqërinë njerëzore, por gjendet në të kur lind. Integriteti nuk mund të jetë as nxitje natyrore kur flasim për një koncept tipikisht moral, i cili është burim i racionales së njeriut. Gjithashtu, integriteti nuk është aq i shumëkërkuar sa ne mendojmë. Së pari, njerëzit që nuk krijojnë besim te të tjerët nuk mund ta perceptojnë besnikërinë e tyre dhe së dyti qytetarët nuk do ta dëshironin një qeveri që i përball me një program politik konstant i cili nuk u përshtatet kërkesave të momentit (p. sh. një qeveri që investon në infrastrukturë ajrore kur vendi mund të jetë duke u përballuar me pasojat e një fatkeqësie natyrore). Së fundmi integriteti nuk është thjesht një indikator i mjedisit dhe atmosferës politike/ekonomike/fetare. Ai shkon përtej kësaj. Integriteti është një koncept politik, mbi poltikën dhe për ta honorifikuar politikën. Ai lidhet ngushtësisht me politikbërjen si një bashkëveprim mes të qeverisurve dhe qeveritareve duke nxitur vemendjen drejt gjykimit të moralit të qeverisjes dhe politikave të zbatuara. Integrimi nuk është koncept përmbledhës, por refleksion i hapur.

Të gjitha këto diferencime lindin pikërisht vetëm nga një përkufizim i shkujdesur. Falë interpretimit të integritetit si një cilësi dhe jo si një kompetencë, sot shoqëria jonë po distancohet nga detyrimet e një qytetari të një shteti demokratik. Pikërisht, prej këtij konfuzioni gjuhësor integriteti sot shihet si ideal i paprekshëm dhe i painiciueshëm nga vullneti i të qeverisurve. Madje, kemi arritur deri në atë pikë sa integriteti të na duket një cilësi që nuk ka lidhje me realitetin ku jetojmë, pasi është thjesht një karakteristikë shumë perfekte për të qënë e vërtëtë. Ne po qëndrojmë të zënë duke e parë pemën teksa rritet e zgjatet dhe jo duke e ndihmuar të zgjatet sepse jemi shumë të zënë duke u shqetësuar për justifikimin pse nuk po zgjatet më tepër apo më shpejt. E pra ne e shohim integritetin larg realitetit tonë sepse fundja e kemi larguar nga vetja duke ja veshur pritshmërive dhe jo aspiratave. Kështu kemi prodhuar viktimën tonë më fatale.

Tani më thoni a e meriton votën tuaj kjo fjalë?

Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania