Votim mbi viktimën e emëruar INTEGRITET
19 Dhjetor, 2020
Përrallë nga e Kaluara
19 Dhjetor, 2020

Roli i debatit, integritetit, etikës dhe komunikimit në aspektin personal

Nëse disa vite më parë do më duhej të flisja për këtë temë, do buzëqeshja e papërfshirë, ndërsa sot shkruaj e mbushur plot me ide progresive. Adoleshenca, mosha e përjetimeve të përshtjelluara, ishte mosha ideale për mua per t’u njohur me integritetin dhe kulturën e debatit.

Impakti, në pamje të parë i panevojshëm në jetën e një adoleshenti, është në të vërtetë themel i rëndësishëm mbi vendosjen e marrëdhënieve me këdo dhe formimit të një ideologjie.

Dua ta bazoj rëndesinë e integritetit fillimisht mbi përkufizimet e tij. Integriteti është cilësia e të qenurit i sinqertë dhe të qenurit i plotë me principe të forta morali. Me fjalë të tjera, flasim për dy nga vlerat e një qytetari aktiv.

Korrupsioni vazhdon të jetë një pengesë në zhvillim. Përplasja ime me integritetin dhe kulturën e debatit, më pajisen me sjellje etike për të njohur dhe për ti rezistuar korrupsionit. Fara e mbjellë në moshën e adoleshencës, kultivohet me kalimin e viteve në aktivizëm dobiprurës për shoqërinë, pasi kjo është çfarë integriteti mbart në thelb, e mira kolektive para të mirës personale.

Mbaj mend se si i shihja problemet dhe thjesht prisja deri në momentin që dikush t’i shihte si unë dhe t’u jepte një zgjidhje, me idenë që unë nuk kam asgjë në dorë. Kur u hasa fillimisht me angazhime mbi debatin, mendoja se thjesht do mësoja “te flisja më bukur”, por kuptova se si rritja graduale dhe mendimi jashtë kornizave ecën në korrelacion me dëshirën për të zgjidhur çdo problem që më shqetësonte.

Tiparet e një qytetari aktiv duhen nisur që në rini të tij duke u konkluduar në konsolidim të personalitetit, kristalizim të drejtimeve, pavarësi të gjykimeve, evidentim të parimeve dhe mbi të gjitha të mendimit aktiv. Asnjëra nga këto nuk mund të krijohet pa etikën e debatit.

Shqipërisë nuk i mungojnë të rinjtë, të rinjve nuk u mungon energjia, andaj këtyre katalizatorëve energjikë u duhet formimi i një bagazhi intelektual. Ndihem entuziaste me rrugën që vazhdoj duke qenë objekt i të drejtave të mia dhe subjekt i vetvetes.

Youth Debate: A call to Integrity event, co-organized by Scidev and LIBURNETIK Organisation, supported by Embassy of the Netherlands in Albania, was part of the #WeekofIntegrity 2020, hosted by International Chamber of Commerce in Albania