Motivet sociale dhe ndikimi në vetpërceptim
13 Shtator, 2022
A është rinia e ardhmja e vendit?
13 Shtator, 2022

Të mendosh ndryshe

Mendimi është ndër veprimtaritë që e ndan njeriun nga kafsha dhe e bën atë të tjetërsojë realitetin sipas dëshirave dhe nevojave. Mirëpo, edhe pse i domosdoshëm, mendimi nuk është perfekt. Një metodë kontrolli është thelbësore për ta konturuar këtë veprimtari brenda linjave të dobishme. Kjo metodë është krahasimi.

Krahasimi e nënshtron mendimin ndaj kritikës, faktit, arsyes, logjikës, duke e bërë atë të shprehet argumentueshëm, e rrjedhimisht, dobishëm. Kjo metodë kontrolli zbatohet në dy mënyra: Krahasimi vertikal, ku mendimi krahasohet me normën, pra idealin, atë që duhet, dhe krahasimi horizontal, ku mendimi krahasohet me praktikat e njohura të së kaluarës. Të dyja këto mënyra e kontrollojnë mendimin për papastërti, papranueshmëri dhe padobishmëri. Pa u krahasuar, mendimi do kishte vlefshmërinë e një opinioni a interpretimi; pra do e humbiste universalitetin e tij.

Mirëpo duhet theksuar se qoftë norma, qoftë praktika historike, shprehen larmishëm nëpërmjet mendimeve të ndryshme. Këto mendime, të kontrolluara më parë nga krahasimi, shërbejnë tanimë vet për të kontrolluar mendimin e ri. Pra e reja futet në skanerin e të pranuarës, për t’u kontrolluar nëse ka potencialin të përmirësojë realitetin.

Debati, kritika, logjika dhe arsyeja në këtë mes janë thelbësore, sepse shërbejnë si mekanizma të skanerit. Ato janë pjesë e mendimeve të pranuara, ndaj në këtë kontekst, mund të thuhet se në krahasim, është mendimi që gjykon veten e vet; veten e vet në një formë tjetër. Por a mund të ndodhë i gjithë ky proces nëse i pranishëm nuk është asnjë mendim ndryshe? A mund të ketë debat a kritikë, nëse mendimi i ri është i vetmuar dhe as nuk rrihet, as nuk kontrollohet, veçse shprehet? Dhe a mund të jetë ky mendim i shprehur i dobishëm, nëse nuk i është nënshtruar kritikës a arsyes? Përgjigja është jo. E pikërisht pse përgjigja është jo, duhet thënë se, po nuk pati mendim ndryshe, zëre se s’ka mendim fare.