Braktisja e hershme e shkollës (Drop Out)
1 Gusht, 2022
Drop Out dhe NEETs, dukuritë që duan ndërgjegjësim!
15 Gusht, 2022

Të Rinjtë NEETs në Shqipëri

Shifrat e të rinjve që i përkasin moshës 15 deri në 29 vjeç, të paangazhuar në punësim, arsim dhe trajnim, të referuar si NEETs, kanë pësuar një ulje të vogël përgjatë viteve të fundit në Shqipëri. Sipas të dhënave nga Banka Botërore, në vitin 2019 rreth 25.8% e të rinjve shqiptarë nga 671.457 që ishin gjithsej, i përkisnin këtij grupimi. Periudha 2007 – 2019 është shoqëruar me një ulje prej 8% të numrit të të rinjve të papunësuar, të paarsimuar dhe me mungesë trajnimi. Historikisht, më shumë femra se meshkuj kanë qenë NEETs, por vitet e fundit ka pasur një rritje të meshkujve që janë pjesë e këtij grupimi.

Nivelet e larta të papunësisë, lokale apo gjeografike, mungesa / papërshtatshmëria e programeve arsimore dhe trajnimeve, mosgatishmëria ose informacioni i dobët në lidhje me programet e trajnimit dhe edukimit, janë disa nga elementët që mundësojnë ekzistencën e grupit NEETs. Një keqkuptim i zakonshëm është se një individ nuk mund të jetë NEETs nëse nuk është i papunë. NEETs janë të rinjtë jo të përfshirë në arsim, trajnim dhe ekonomikisht joaktivë, që do të thotë se nuk punojnë, nuk kërkojnë punë ose nuk janë të gatshëm për të filluar punë. Të qenit për një kohë të gjatë në këtë status mund të ketë pasoja afatgjata.

Përfshirja në këtë grupim mbart kosto ekonomike dhe përbën një efekt negativ në shëndetin mendor e fizik. Këta të rinj përballen me vështirësi në marrëdhënien me të tjerët, përjetojnë çrregullime psikologjike si ankth dhe depresion, ekspozohen ndaj përjashtimit social, mund të abuzojnë me drogën dhe substancat narkotike ose të përfshihen në aktivitete kriminale. Për femrat, NEETs lidhet me martesën dhe mëmësinë e hershme, si dhe me ndjenjat e pakënaqësisë ndaj jetës. Efektet negative shtrihen te individët që janë pjesë e NEETs, por ndikimet mund të shtrihen edhe në familjen e tyre apo shoqërinë në tërësi.

Disa nga politikat që Mbretëria e Bashkuar ka ndërmarrë për të reduktuar numrin e të rinjve NEETs përfshijnë skemën kickstart, stimuj të mëtejshëm punëdhënësve për të marrë praktikantë dhe të trajnuar, mbështetje të zgjeruar punësimi për punëkërkuesit e rinj dhe financim për ata që braktisin shkollën ose universitetin. Skema kickstart siguron financime për punëdhënësit që krijojnë vende të reja pune për të rinjtë. Kjo skemë synon të krijojë vende pune 6-mujore dhe pritet që punëdhënësit të ofrojnë trajnime e mbështetje, në mënyrë që të rinjtë të gjejnë një punë të përhershme. Shtuar këtyre, një strategji e shëndoshë për reduktimin e të rinjve NEETs do të përfshinte stimuj dhe inkurajim për të rinjtë që të vazhdonin ose të ktheheshin në arsim. Shqipëria duhet t’i kushtojë më tepër vëmendje këtij fenomeni dhe përmes identifikimit të individëve pjesë e kësaj kategorie, të ndërmarrë më pas hapat e duhur për trajtimin e problematikës. Duke aplikuar një model të tillë apo përshtatur e hartuar plane dhe strategji të ngjashme, edhe Shqipëria mund të zvogëlojë fenomenin NEETs.

Autore: Ledina ELEZI