Re-Debate 5.0 Kampionati Kombëtar i Debatit – DEKLARATË!
10 Korrik, 2020

Gjimnazi ”Ibrahim Rugova” fitues i Re-Debate 5.0 – Kampionati Kombëtar i Debatit

Pas një maratone të gjatë debatesh Kampionati Kombëtar i Debatit, Re-Debate 5.0 përfundoi me sukses edicionin e tretë të shtunën e 11 Korrikut me shpalljen e fituesve, Gjimnazin e Kamzës “Ibrahim Rugova”.

Një rrugëtimi i gjatë që nisi tetorin e vitit të kaluar me fazën e trajnime në 50 shkolla nga 17 qytete të vendit, projekti “Re-Debate 5.0 – Kampionati Kombëtar i Debatit” ka përbyllur misionin e tij me Finalen e Madhe që u transmetua live streaming përmes kanaleve online të Organizatës LIBURNETIK. Ndryshe nga vitet e tjera, Kampionati Kombëtar i Debatit për shkak të pandemisë globale u zhvillua online nëpërmjet platformës Zoom. Pavarësisht problemeve teknike apo organizative që u hasën gjatë kësaj faze, si edhe ngarkesës emocionale dhe mësimit online, përfundimi rezultoi i suksesshëm. Promovimi i kulturës së debatit nëpërmjet teknologjisë arriti të tej përçohej edhe në këto kushte të vështira duke theksuar edhe njëherë dëshirën dhe nevojën që të rinjtë e shkollave të mesme shfaqën për të debatuar pastër dhe pa cënuar njëri-tjetrin përpos argumenteve pro dhe kundër. Respektimi i ideve, etika në komunikim, bashkëpunimi dhe toleranca në grup, thyerja e tabuve sociale dhe paragjykimeve ishin përbërësit e këtij formati që sollën modelin e mirëfilltë të një debati konstruktiv nga ku duhet të marrin shembull të gjithë. Një mësim për të cilin shoqëria jonë shqiptare ka nevojë dhe padyshim të rinjtë e Re-Debate 5.0 arritën ta servirin shkëlqyer duke hedhur kështu bazat për ngritjen e një shoqërie demokratike me themele të sigurta për të ardhmen.

Por le ti kthehemi garës dhe emocioneve që përcolli Kampionati Kombëtar i Debatit, i cili këtë vit përfshiu gati 50 shkolla nga 17 vende të Shipërisë. Kemi udhëtuar virtualisht përgjatë një muaji në Tiranë, Kamëz, Krujë, Fushë-Krujë, Lezhë, Rrëshen, Shkodër, Durrës, Shijak, Elbasan, Fier, Vlorë, Pogradec, Korçë dhe Sarandë për të ndjekur 21 Debate e Fazës në Nivel qyteti. Pas kësaj faze zbuluam 16 Finalistët e Re-Debate 5.0 që në bazë të pikëve të grumbulluara fituan të drejtën për të qenë pjesë e Fazës së Eliminatoreve nga e cila u përcollën 8 debatet e radhës, për të vazhduar me Fazën e Çerekfinaleve, Gjysmëfinaleve që do ti linin vendin Finales së Vogël dhe Finales së Madhe.

Finalja e Vogël do të shihte në debat Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”, Elbasan dhe Shkollën e Mesme “Janaq Kilica”, Fier. Një debat i bukur që nxorri sërish në pah vlerat e padiskutura të nxënësve nga Fieri dhe Elbasani, që në këto tre vite kanë dëshmuar nivelin e lartë për të komunikuar pastër mendimin dhe argumentat në një debat konstruktiv qytetar. Ky debat përcaktoi me vlerësimin e jurisë Vendin e Tretë për Shkollën e Mesme “Janaq Kilica” dhe Vendin e Katërt për Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”.

Finalja e Madhe e këtij e edicioni do të kosiderohet edhe surpriza e Kampionatit Kombëtar të Debatit. Për herë të parë në tre vite qyteti i Tiranës ishte pjesë e finales, dhe përfaqësohej nga një shkollë jo-publike, Shkolla e Mesme “New York” në përballje me Shkollën e Mesme “Ibrahim Rugova”.

Të dyja skuadrat u vlerësuan nga juria për cilësinë e debatit, etikën dhe qytetarinë e treguar në respektimin e njëri-tjetrit. Edhe pse, tematikat që iu takuan të diskutonin ishin sfiduese për moshën dhe përvojën e tyre, debati në skuadër, ashtu edhe në përballjen mes liderëve arriti nivelin e kërkuar. Thellësia e mendimit dhe argumenti bindës, duke ndjekur vijën e logjikës së kundër debatuesit kristalizuan edhe vendimin e jurisë për të shpallur fituesin e këtij edicioni, Shkollën e Mesme nga Kamza “Ibrahim Rugova”, ndërsa vendi i Dytë për Shkollën e Mesme jo-publike “New York”.

Përpos rezultateve të larta që shkollat e mesme prurën në Re-Debate 5.0 Kampionatin Kombëtar të Debatit, përgjatë kësaj maratone jurisë i është dashur të evidentojë midis nxënësve debatuesin më të mirë. Lideri i skuadrës së Elbasanit, Valentin Nina u vlerësua nga juria si Debatuesi më i Mirë i kampionatit.

Debati është ndjekur nga përfaqësuesi i fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, Klodian Seferaj, Aspasjana Kongo, koordinatore e Projektit dhe ZV. Ministrie e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Engjëll Gjugja nga Kongresi Rinor Kombëtar si dhe përfaqësuesit e dy partnerëve të rinj të Re-Debate 5.0, Albert Gjoka nga Bukinist.al dhe Laudio Topçiu nga Tibo TV të cilët ndanë edhe çmimet për vendin e tretë dhe të katërt. Finalja e Madhe e Re-Debate 5.0 u moderua nga Ergys Gezka Drejtor Ekzekutiv i Organizatës Liburnetik dhe njëkohësisht drejtor i projektit të debateve.

Edhe ky edicion u bë i mundur falë mbështetjes së Fondacionit “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, me mbështetjen institucionale të MASR si dhe partneritetit të Kongresit Rinor Kombëtar, Bukinist.al dhe Tibo TV.