Rreth projektit

Organizata LIBURNETIK, në bashkëpunim me Qendrën “Ndihmoni Jetën” dhe me mbështetjen e “World Vision” sjell projektin “Pasqyra e Fëmijëve”.

Ky program është iniciuar dhe i ka bazat pikërisht tek besimi ndaj këtyre fëmijëve. Besimi se nëse ata e dëshirojnë diçka fort dhe kanë talentin është e mundur t’ia arrijnë.

Ndoshta për disa do të tingëllonte e çuditshme të punohet me pikturën dhe vizatimet me fëmijët autikë dhe me prapambetje intelektuale, kjo pasi duke qenë se këto vështirësi do të ndikonin drejtpërdrejt në mënyrën se si ata vizatojnë. Po të shohim për pak çaste se sa dëshirë ata kanë të vizatojnë dhe me sa ngjyra i shohin personazhet e tyre të preferuara, kafshët, njerëzit… jetën, do të kuptonim se sa e rëndësishme është kjo, se sa rëndësi ka t’u ofrohen ngjyra, emocione dhe ndjenja.

Programi ynë në lidhje me aktivitetet me fëmijët e Qendrës “Ndihmoni Jetën” ka nisur në muajin shtator 2017, ku një grup profesionistësh nga fusha e artit dhe shkencave sociale, pjesë e Organizatës LIBURNETIK morën nismën vullnetare të ndanin një pjesë të kohës së tyre me fëmijët e Qendrës “Ndihmoni Jetën” duke pasur edhe mbështetjen e plotë të drejtoreshës dhe stafit pedagogjik të sajnë lehtësimin e vënies në praktikë të këtij projekti.

Qendra “Ndihmoni Jetën” është një institucion që trajton fëmijë të spektrit të autizmit dhe me prapambetje intelektuale dhe ka si qëllim kryesor “Ndërtimin e mundësive dhe përmirësimin e statusit social të fëmijëve, të të rinjve dhe të rriturve me aftësi të kufizuar, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre dhe të arrihet integrimi i tyre në familje dhe në komunitet si anëtarë me të drejta dhe mundësi të barabarta”.

Objektivi i këtij projekti është zhvillimi i aftësive krijuese e artistike,  përmirësimi i gjendjes emocionale të fëmijëve, përmes terapisë së artit dhe aktiviteteve që ndihmojnë në integrimin e tyre në shoqëri përmes vullnetarizmit dhe përfshirjes së të rinjve e studentëve të Shkencave Sociale dhe Akademisë së Arteve.

Ndër të tjera ky projekt-program ka arritur dhe synon të thellojë rezultatet e mëposhtme:

  • Zbulimin dhe zhvillimin e aftësive artistike në pikturë të fëmijëve autikë dhe me prapambetje intelektuale nga profesionistë të rinj të pikturës;
  • Zhvillimin aktiviteteve periodike përmes terapisë së artit;
  • Promovimin e punimeve të fëmijëve përmes realizimit të një ekspozite me punimet e tyre si piktura, punime hand-made, etj;
  • Përmirësimin e gjendjes emocionale të fëmijëve përmes metodave të edukimit jo-formal, që kanë në fokus përmirësimin e gjendjes emocionale dhe fizike të fëmijëve;
  • Zhvillimin i një qasjeje të re ndaj aftësisë së kufizuar, fokusimi në vlerësimin e talenteve dhe në rritjen e ndjeshmërisë sociale.

Implementon

Organizata LIBURNETIK

Partner

Qendra “Ndihmoni Jetën”

Mbështetur

World Vision

AlbaniaEnglish