Rreth projektit

Procesi i demokratizimit në Shqipëri ka patur dhe vazhdon të ketë hendeqe dhe pengesa nga më të ndryshmet, të reflektuara nga ngërce politike dhe nga një tranzicion atipik. Kjo situatë është përforcuar akoma më shumë nga një e kaluar historike e errët me të cilën akoma nuk jemi përballur e për rrjedhojë shoqëria shqiptare vuan ende pasojat. Në kontekstin shqiptar, periudha pas rënies së regjimit komunist përkufizohet si një tranzicion i gjatë dhe ashtu sikurse edhe në aspekte të tjera që shohin në qendër dinamikat e zhvillimit të një shoqërie të re pluraliste, ndikime negative ka patur edhe në lidhje me të rinjtë, të cilat vazhdojnë të reduktojnë vullnetin e tyre. Këto pasoja përkthehen në apati, indiferencë dhe shpesh edhe në militantizim politik. Në këto kushte, numri i të rinjve që marrin pjesë në mënyrë aktive në këtë proces mbetet i ulët dhe shpesh pa një strategji të qartë. Nga ana tjetër, interesi i lartë i studentëve shqiptarë për arsimin universitar dhe sistemi i brishtë arsimor i bën ata pre e partive politike dhe ofertave të tyre në lidhje me mundësitë e studimit, duke pasuar kështu me një lloj shpërqëndrimi për sa i përket prioriteteve të tyre dhe duke u drejtuar drejt një të ardhme të pasigurtë.

Pikërisht ky është konteksti nga i cili frymëzohet projekti ynë, i cili ka në qendër krijimin e një programi prej 6 trajnimesh/takimesh, një në muaj të organizuar me një format të tipit të leksioneve të hapura të ndërthurura me eksperienca personale dhe përdorimit të metodave të trajnimit të edukimit jo formal për të orientuar të rinjtë rreth disa temave, përmes të cilave synohet të rindërtohet një rrugëtim historik e social i Shqipërisë.
Të rinjtë që do të përfshihen do jenë pjesë e një bërthame prej 30 vetësh, të cilëve do u jepet mundësia të ndjekin të gjashtë aktivitetet. Kjo thirrje i drejtohet Studentëve bachelor dhe master të Shkencave Politike dhe Studentëve të Shkencave Sociale.

Qëllimi i projektit është që këto trajnime të kthehen në një debat konstruktiv për çështje specifike në lidhje me procesin e demokratizimit, të cilat përcaktojnë dhe ilustrojnë në mënyrë konkrete realitetet e ngjashme evropiane që kanë kaluar të njëjtën gjë ose një vatër të ngjashme drejt demokratizimit dhe sundimit të ligjit.

Aktivitetet do të zhvillohen një herë në muaj nga ora 9.30-17.30
1. 5 Qershor 2018 – Shqipëria gjatë regjimit komunist, dëshmi dhe momente reflektimi mbi rëndësinë e kujtesës kolektive.
2. 30 Qershor 2018 – Rënia e regjimit komunist dhe fillimi i tranzicionit.
3. Korrik 2018 – Shqipëria në tranzicion, konsolidimi i pluralizmit, perspektiva evropiane dhe euro-atlantike.
4. Shtator 2018 – Shqipëria dhe procesi i Integrimit Evropian: liberalizimi i vizave dhe dhënia e statusit të vendit kandidat.
5. Tetor 2018 – Rëndësia e hapjes së negociatave, reformat dhe njësimi i legjislacionit me Bashkimin Evropian.
6. Nëntor 2018 – Skenare mbi të ardhmen e afërt të Shqipërisë, vend anëtar i Bashkimit Evropian

Temat e përcaktuara synojnë të japin një kuptim kronologjik dhe orientues dhe përmes folësve të ndryshëm (ekspertë dhe aktorë të drejtpërdrejtë të këtyre aspekteve dhe periudhave) synohet të ndikojmë në aspektin e pjesëmarrjes dhe aktivizmit, duke i përqëndruar temat në një aspekt krahasues dhe analiza e rolit të të rinjve në procesin e demokratizimit.

 

Implementuar

Organizata LIBURNETIK

Mbështetur

FES

AlbaniaEnglish