LIBURNETIK starton Re-Debate IX: Kampionatin Kombëtar të Debatit, një traditë që fuqizon të rinjtë shqiptarë
9 Shtator, 2025

LIBURNETIK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Këshillit të Evropës mbi hapësirën qytetare dhe rinovimin demokratik

LIBURNETIK mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Formësimi i rinovimit demokratik: hapësira qytetare dhe rruga drejt një Pakti të Ri Demokratik për Evropën”, të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg.

Konferenca u zhvillua në një kontekst evropian të shënuar nga sfida në rritje për demokracinë, pjesëmarrjen qytetare dhe funksionimin e shoqërisë civile. Qëllimi i saj ishte të krijonte një hapësirë të strukturuar dialogu ndërmjet institucioneve evropiane, shteteve anëtare, organizatave të shoqërisë civile, ekspertëve të të drejtave të njeriut dhe aktorëve akademikë, për të analizuar gjendjen aktuale të hapësirës qytetare dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Pakti të Ri Demokratik për Evropën.

Gjatë dy ditëve të punimeve, pjesëmarrësit diskutuan mbi gjendjen e hapësirës qytetare në Evropë, trendet legjislative dhe rregullatore që ndikojnë veprimtarinë e shoqërisë civile, mekanizmat e monitorimit dhe mbrojtjes së saj, si dhe ndikimin e hapësirës digjitale në demokraci. Një vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për politika gjithëpërfshirëse, të bazuara në të drejtat e njeriut, që garantojnë lirinë e organizimit, shprehjes dhe pjesëmarrjes qytetare.

Në këtë kuadër, pjesëmarrja e LIBURNETIK përfaqëson një angazhim konkret për të qenë pjesë aktive e dialogut evropian mbi demokracinë dhe shoqërinë civile, si dhe për të kontribuar me perspektivën dhe përvojën nga Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Kjo konferencë ofroi një platformë të rëndësishme për reflektim dhe bashkëpunim mbi sfidat që përballet sot hapësira qytetare në Evropë. Për LIBURNETIK, pjesëmarrja në këtë forum është thelbësore për forcimin e rolit të shoqërisë civile dhe për përafrimin e mëtejshëm me standardet evropiane të demokracisë dhe të drejtave të njeriut.