FTESË PËR OFERTË – Shërbime | Projekti UNI-Debate
3 Shkurt, 2025
Përmbyllet suksesshëm faza e trajnimeve e projektit “UNI Debate” me ndalesën e fundit në Elbasan
25 Mars, 2025

LIBURNETIK dhe të rinjtë debatues: Fuqizimi i gjeneratës së re për të ndikuar politikën dhe shoqërinë

Në një Shqipëri që gjithnjë e më tepër po punon që të ndërtojë institucione më të hapura dhe më gjithëpërfshirëse, promovimi i kulturës së debatit tek të rinjtë përfaqëson një hap thelbësor drejt zhvillimit demokratik dhe social të vendit. Në veçanti, përfshirja e studentëve në aktivitete që nxisin mendimin kritik, aftësinë për të argumentuar dhe për të folur në publik, është një investim i drejtpërdrejtë në fuqizimin e qytetarëve të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të angazhuar.

Debati është një instrument i fuqishëm edukimi qytetar. Debati nuk është vetëm një aktivitet retorik, por një mjet që ndihmon të rinjtë të strukturojnë mendimet, të dëgjojnë argumente të ndryshme dhe të ndërtojnë qëndrime të bazuara në fakte. Përmes platformave si kampionatet e debatit për nxënësit dhe studentët që LIBURNETIK ka zhvilluar ndër vite, të rinjtë mësojnë të kuptojnë më mirë realitetin që i rrethon dhe të ndikojnë pozitivisht në komunitetin ku jetojnë.

Në kontekstin shqiptar, ku shpesh mungojnë hapësirat për pjesëmarrje rinore në vendimmarrje, debatet shërbejnë si laboratorë praktikë për edukimin qytetar dhe përfshirjen aktive. Studentët, duke marrë pjesë në debate, jo vetëm rritin kapacitetet e tyre personale, por edhe ndërgjegjësohen për problematikat në arsim, shëndetësi, mjedis dhe fusha të tjera me rëndësi publike.

Rinia shqiptare ka dëshmuar potencial të jashtëzakonshëm për të iniciuar ndryshime në komunitetet e tyre. Iniciativa rinore të mbështetura nga organizata të shoqërisë civile kanë treguar se të rinjtë janë të gatshëm të marrin përgjegjësi dhe të angazhohen në çështje si përmirësimi i kushteve të arsimit, krijimi i hapësirave kulturore, apo mbrojtja e mjedisit.

Përmes trajnimeve, rrjetëzimit dhe bashkëpunimit me institucione lokale, të rinjtë mund të fuqizohen për të qenë pjesë aktive në hartimin dhe zbatimin e politikave. Qytetaria aktive nuk lind rastësisht, por kultivohet përmes përvojës, informacionit dhe përfshirjes.

LIBURNETIK i ka fuqizuar të rinjtë në mënyra nga më të ndryshmet nëpërmjet projekteve që janë implementuar ndër vite. Disa nga këto mënyra përfshijnë:

  • Fuqizimin e të rinjve për të qenë qytetarë pro aktivë, të informuar dhe me mendim kritik nëpërmjet bashkëpunimeve të shumëanshme me ministri, shkolla, universitete, biznese, organizata partnere, pofesionistë të fushës etj.
  • Krijimin e hapësirave për shprehje dhe përfshirje, si ndërgjegjësimin dhe mundësimin e të rinjve për të qenë pjesë e këshillve rinorë lokalë, dëgjesave publike dhe programeve ndërvepruese me vendimmarrësit;
  • Inkurajimin e edukimit përmes debatit dhe mendimit kritik në shkolla dhe universitete;
  • Mbështetjen e iniciativave rinore me fonde, mentorim dhe platforma për shfaqjen e ideve të tyre;
  • Përfshirjen e të rinjve në procese konsultative për politika lokale dhe kombëtare, sidomos në sektorët e arsimit, punësimit dhe teknologjisë;
  • Promovimin e modeleve dhe historive të suksesit të të rinjve që kanë çuar në ndryshime pozitive në vend.

Për ne e ardhmja ndërtohet sot. Nëse duam një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike nesër, duhet të investojmë sot në krijimin e një kulture të pjesëmarrjes së të rinjve në jetën publike. Ata nuk janë vetëm përfitues të politikave, por edhe bashkëhartues të tyre. Përmes debatit, aktivizmit dhe ndërveprimit konstruktiv me institucionet, të rinjtë mund të jenë shtytës të reformave të rëndësishme për vendin. Sepse kur një i ri mëson të ngrejë zërin në mënyrë argumentuese për një çështje që e prek, ai tashmë është duke ndërtuar një Shqipëri më të mirë.

Nga B. D.