‘Mendimi kritik’ investim më i ri në përmirësimin e njohurive të nxënësve të shkollave 9-vjeçare
12 Shkurt, 2020
Prezantohet Projekti Re-Debate 5.0, Kampionati Kombëtar I Debatit
19 Shkurt, 2020

Prezantimi i Projektit Re-Debate 5.0 – ”Rigjallërimi i Kulturës së Debatit”

‘Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë’ do të mirëpresë eventin prezantues të Projektit ‘Re-Debate 5.0 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit’, të Mërkurën më datë 19 Shkurt.

Në qendër të këtij projekti, që për të tretin vit radhazi zbatohet nga Organizata LIBURNETIK, është mundësia për të mbështetur zhvillimin e mendimit kritik tek të rinjtë e shkollave të mesme të vendit përmes të argumentuarit, punës në grup, kultivimin e një etike në komunikim bazuar mbi vlerat e qytetarisë aktive dhe tolerancës.

Realizimi i ‘Re-Debate 5.0’ mundësohet nga ‘Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë’,  me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe në partneritet me Kongresin Rinor Kombëtar.

Programi i Debatit ka filluar aktivitetin që prej vitit 1995, si një program i themeluar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësinë e Peace Corps në Shqipëri. Ky program synonte të ndihmonte të rinjtë debatues të zhvillonin aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajonte tolerancën dhe respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovonte rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale. Vlera të cilat janë dhe mbeten nevoja të vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.

Projekti Re-Debate 5.0 do të zbatohet gjatë periudhës shtator 2019 – korrik 2020 në 50 shkolla të mesme publike dhe jo publike, në 17 qytete kryesore të Shqipërisë, përkatësisht në: Shkodër, Lezhë, Kukës, Kamëz, Durrës, Shijak, Rrëshen, Burrel, Krujë, Fushë-Krujë, Tiranë, Elbasan, Pogradec, Korçë, Fier, Vlorë dhe Sarandë. Në Tiranë do të përfshihen 10 shkolla të mesme, ndërkohë që në qytetet e tjera, në varësi të numrit të popullsisë do të përfshihen në projekt nga 2 deri ne 4 shkolla të mesme për secilin qytet. Në këtë projekt marrin pjesë më shumë se 1000 nxënës. Të rinjtë debatues janë trajnuar nga ekspertë në fushën e debatit ku gjithsej do të organizohen gjithsej 50 debate në nivel qyteti dhe në nivel kombëtar.

Debatet do të zhvillohen duke u bazuar në metodologjinë Formati IDEA, duke përshkuar disa faza:

  • Debatet në nivel qyteti (në 17 qytete);
  • Faza e eliminatoreve;
  • Faza finale.

Në panelin e event prezantimit të projektit, i cili do të moderohet nga Drejtori i ekzekutiv i Organizatës Liburnetik dhe Drejtor i Projektit Z. Ergzs Gezka, do të jenë të pranishëm përfaqësuesit kryesorë që mundësojnë këtë projekt. Një fjalë përshëndetëse institucionale do të mbahet nga Ministri i Arsimit Sportit dhe Rinisë Znj. Besa Shahini dhe më pas do i jepet fjala Drejtorit Ekzekutiv të OSFA Z. Andi Dobrushi dhe Znj. Dafina Peci, Drejtor ekzekutiv i Kongresit Rinor Kombëtar.

Në lidhje me dobinë e zhvillimit të një projekti të tillë, me kaq prioritet për zhvillimin e frymës së debatit konstruktiv, pjesë e panelit do të jenë edhe disa të rinj, pjesëmarrës dhe fitues të edicionit të kaluar, të cilët do të shprehen në lidhje me eksperiencën e përjetuar dhe do të japin një feedback mbi çfarë mësuan e përvetësuan dhe sa u ka shërbyer ajo. Prezantimi i projektit do të pasurohet edhe me referatin e Znj. Greta Biçoku – Mësuese, Shkolla “Dhaskal Todri”, Elbasan me titull “Përfitimet e kulturës së debatit tek të rinjtë e shkollave të mesme”, Znj. Rovena Arra – Mësuese, Shkolla “Shote Galica”, Fushë-Krujë dhe Znj. Rozvana Nano – Mësuese, Shkolla “Qemal Stafa”, Tiranë me referatin “Kultura e debatit si një hap pozitiv për rritjen e kapaciteteve”.

Organizata LIBURNETIK, si organizatë me fokus zhvillimin dhe promovimin e Rinisë shqiptare merr përgjegjësinë dhe nderin për zbatimin e projektit Re – Debate 5.0 Rigjallërimi i Kulturës së Debatit dhe duke evidentuar rëndësinë e të debatuarit dhe të të menduarit kritik, i bën thirrje mediave dhe institucioneve t’i vënë theksin këtij elementi dhe ta konsiderojnë si një proces formimi i domosdoshëm përpërgatitjen e një qytetarie aktive.