Rreth projektit

“Dashuri përmes Ngjyrave” është një shërbim vullnetar i Organizatës LIBURNETIK pranë Institutit Ramazan Kabashi. Qëllimi i këtij shërbimi vullnetar është integrimi social i fëmijëve të verbër përmes zhvillimit të aftësive artistike në pikturë, terapisë së artit, aktiviteteve të cilat përmirësojnë gjendjen emocionale të fëmijëve dhe të rrisim ndjeshmërinë sociale ndaj këtyre target-grupeve.

Vitin e dytë të zbatimit të tij, ky projekt u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe u zhvillua përsëri në Institutin “Ramazan Kabashi”. Metodologjia e përdorur për këtë projekt është shumë e veçantë dhe ndryshe nga temat mësimore që ata fëmijë zhvillojnë në shkollë.

Me anë të një grupi vullnetarësh të specializuar në fushën e Artit dhe Psikologjisë projekti arriti të gjitha objektivat kryesore të parashikuara. Fëmijët, të cilët më parë nuk kishin zhvilluar një program të tillë terapeutik, reaguan mirë ndaj formatit dhe produkti ishin tre ekspozita të mëdha të kushtuara plotësisht punës së tyre.

Ekspozita e parë u zhvillua në Muzeun Kombëtar ku u paraqitën mbi 35 piktura të bëra nga këta fëmijë me një kreativitet dhe një punë kolosale. Të pranishëm ishin dhe shumë media dhe individë të cilët ishin kurioz të njiheshin me programin dhe punën e fëmijëve në tërësi.

Ekspozita e dytë u zhvillua në Hotel Plaza dhe u organizua me mbështetjen e Bashkisë Tiranë në formën e një ‘fundraising’ për shitjen e këtyre punimeve me qëllim që të ardhurat ti shkonin Institutit “Ramazan Kabashi”. Me të ardhurat nga ky event u bë i mundur përmirësimi i kushteve të sallës së lojërave që këta fëmijë kishin brenda institutit.

Ekspozita e tretë u zhvillua në sheshin e Pazarit të Ri në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës. Edhe në këtë ekspozitë u bë ‘fundraising” dhe të ardhurat i shkuan përsëri Institutit Ramazan Kabashi. Në këtë ekspozitë u paraqitën mbi 25 vepra të ndryshme si piktura, punime hand-made qeramike dhe druri.

Objektivat kryesore të projektit janë:

  • Zbulimi dhe zhvillimi i aftësive artistike në pikturë të fëmijëve me probleme në shikim nga profesionistë të pikturës.
  • Zhvillimi i terapisë së artit;
  • Ekspozita me punimet e tyre si piktura, punime hand-made dhe shitja e tyre me qëllim që të ardhurat të shkojnë për përmirësimin e ambienteve ku fëmijët jetojnë;
  • Aktivitete me në qendër vetë fëmijët përmes edukimit jo formal, të cilat përmirësojnë gjendjen emocionale dhe fizike të fëmijëve.

Përfituesit direkt në këtë shërbim janë fëmijët me vështirësi në shikim të Institutit “Ramazan Kabashi” Tiranë. Përfshirja e tyre përmes metodave kreative, rritja e kapaciteteve, zbulimi dhe zhvillimi i aftësive artistike, zhvillimi i terapisë së artit, aktivitete të cilat çojnë në integrimin social të tyre. Nga ky shërbim përfitojnë në mënyrë indirekte edhe vetë shoqëria ku pritet të fillojë një qasje e re ndaj aftësisë së kufizuar, fokusimi në vlerësimin e talenteve dhe jo tek mungesa e aftësisë, rritja e ndjeshmërisë sociale.

Ky projekt nuk ka vetëm përfitues fëmijët e këtij instituti por edhe vullnetarët të angazhuar në këtë projekt.

Implementuar

Organizata LIBURNETIK

Partner

Instituti Ramazan Kabashi dhe Bashkia Tiranë

Mbështetur

Ministria e Kulturës 

AlbaniaEnglish