Nis edicioni i tretë i ‘Tirana Art Fest’
February 15, 2018
LIBURNLAW, njihuni me departamentin ligjor të LIBURNETIK Organisation
March 30, 2018

Do të jetë ‘Qendra për Hapje dhe Dialog’ që do të mirëpresë eventin prezantues të Projektit Re-Debate 4.0 – Rigjallërimi i Kulturës së Debatit, të Mërkurën më datë 4 Prill.

Në qendër të këtij projekti që po zbatohet nga Organizata LIBURNETIK është mundësia për të mbështetur zhvillimin e shoqërisë civile dhe prezantimin e të rinjve me alternativa të të menduarit dhe të organizuarit, për ata që kultivojnë të menduarit kritik, etikën në komunikim, tolerancën dhe vlerat e qytetarisë aktive.

Realizimi i Re-Debate 4.0 mundësohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe me mbështetjen institucionale të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Shërbimit Kombëtar Rinor.

Zbatimi i projektit Re-Debate 4.0 ka nisur në muajin tetor 2017 me fazën e parë, atë të trajnimeve: gjatë të cilës nxënësve dhe mësuesve u janë dhënë informacione mbi metodologjinë dhe mbi formatin e debateve që do të zhvillohen në vijim. Debatet do të zhvillohen duke u bazuar në metodologjinë e njohur ndryshe si Formati IDEA, duke përshkuar disa faza:

  • Debatet në nivel shkolle (në 27 shkollat e përzgjedhura);
  • Debatet në nivel qyteti (në 14 qytete Faza e eliminatorëve);
  • Faza e eliminatoreve;
  • Faza finale.

Në panelin e event prezantimit të projektit, i cili do të moderohet nga Drejtori Ekzekutiv i Organizatës LIBURNETIK z. Ergys Gezka, do të jenë të pranishëm me përfaqësuesit kryesorë që mundësojnë këtë projekt. Një fjalë përshëndetëse institucionale do mbahet nga Zv/Ministri i Arsimit Sportit dhe Rinisë z. Shpati Kolgega dhe më pas do i jepet fjala Drejtorit Ekzekutiv të OSFA z. Andi Dobrushi, znj. Lorena Haxhiu Drejtor i Shërbimit Kombëtar për Rininë dhe z. Klodjan Seferaj, OSFA – Manaxher programi mbi Qeverisjen dhe Llogaridhënien. Në lidhje me dobinë e zhvillimit të një projekti të tillë, me kaq prioritet për zhvillimin e frumës së debatit konstruktiv, pjesë e panelit do të jenë edhe disa të rinj, pjesëmarrës dhe fitues të edicionit të fundit të zhvilluar në vitin 2013, të cilët do të shprehen në lidhje me eksperiencën e përjetuar dhe një feedback mbi cfarë mësuan e përvetësuan dhe sa u ka shërbyer gjatë këtyre viteve.

Programi i Debatit e ka filluar aktivitetin që prej vitit 1995, si një program i themeluar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe përfaqësinë e Peace Corps në Shqipëri. Ky program synonte të ndihmonte të rinjtë debatues të zhvillonin aftësitë komunikuese, të menduarit kritik, të inkurajonte tolerancën dhe respektin mbi idetë e ndryshme si edhe të promovonte rritjen e interesit tek të rinjtë mbi ngjarjet aktuale. Vlera të cilat janë dhe mbeten nevoja të vazhdueshme edukuese në brezat e rinj përballë modeleve të munguara apo të gabuara në shoqërinë shqiptare.

Organizata LIBURNETIK, si organizatë me fokus zhvillimin dhe promovimin e Rinisë shqiptare merr përgjegjësinë dhe nderin për zbatimin e projektit Re – Debate 4.0 Rigjallërimi i Kulturës së Debatit dhe duke evidentuar rëndësinë e të debatuarit dhe të të menduarit kritik, i bën thirrje mediave dhe institucioneve t’i vënë theksin këtij elementi dhe ta konsiderojnë si një proces formimi i domosdoshëm për përgatitjen e një qytetarie aktive.

e Mërkurë 4 Prill 2018
Ora 10:45
COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, Blv “Dëshmorët e Kombit”, 1, Kryeministria

AlbaniaEnglish